E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Milan-Mancester, Bekham pas 7 vitesh në Old Traford

MILANO- Milani do të tentojë një mision në dukje të pamundur sot në mbrëmje, kur të përballet me Mançester Junajtid në ndeshjen e kthimit të të tetave të finales së Champions League. Ndeshja është speciale për Devid Bekham, që rikthehet pas 7 vitesh në Old Traford, aty ku u bë i famshëm i futbollist. Anglezi është pritur mjaft ngrohtë që në momentin e zbritjes në aeroport, teksa dhjetëra fansa i kanë kërkuar autografe dhe kanë pozuar me të. Gjithsesi, sot në mbrëmje ai do të jetë një kundërshtar në fushë, ndërsa Milanit do t’i duhet të përmbysë humbjen 3-2 të marrë 3 javë më parë në San Siro. “Mendoj se për Bekham kjo është një ndeshje shumë speciale, - deklaroi trajneri Leonardo. – Ai ka mundësinë të luajë kundër Mançester Junajtid, pasi ka patur një histori të lavdishme këtu. Që kur pa shortin, Devid e ka quajtur të pabesueshme faktin se do të luante këtu”, shtoi tekniku brazilian. Ndërkohë, kapiteni i Milanit Masimo Ambrozini shpreson që sot në mbrëmje të mungojë Uejn Runi, i cili ka pësuar një dëmtim në miqësoren e Anglisë me Egjiptin. “Runi është një yll i futbollit botëror dhe këtë e pamë në ndeshjen e shkuar, ku tregoi se për momentin është një nga më të mirët e botës”, tha Ambrozini. Problemi i Milanit për këtë takim ka qenë Aleksandre Pato, por sulmuesi brazilian duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe pritet të jetë në fushë sot në mbrëmje.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›