Ferguson: Zherardi më pëlqen
16/01/2005 Trajneri i Mançester Junajtid, Sir Aleks Ferguson, ka pranuar edhe një herë se dëshira më e madhe për atë, do të ishte të sillte në “Old Traford”, kapitenin e Liverpulit, Stiven Zherard. Megjithëse dëshira e tij do të ishte mesfushori i Liverpulit, ai mendon se do të mbetet veçse, një admirues nga distanca i Zherard. Ferguson gjithmonë ka dashur të kishte në skuadrën e tij, një mesfushor si Stiven Zherard, i cili mund të quhej fare mirë, zëvendësuesi ideal i veteranit irlandez Roi Kin. Ky i fundit është në perëndimin e karrierës së tij dhe duket se trajneri skocez është hedhur në merkato, për gjetur pasardhësin e tij. Për fat të keq, si braziliani Kleberson, edhe Xhemba-Xhemba nuk të japin aspak përshtypjen e atyre që mund të zënë vendin e veteranit irlandez. Sipas Ferguson, do të jetë pikërisht Zherard, i vetmi mesfushor anglez, i cili do të ushtrojë mbizotërimin e tij në Premier Ligë. Kështuqë, ai do të bënte gjithçka për ta sjellë në “Old Traford”, nëse nuk do të arrinte të kënaqej me ecurinë e Liverpulit, si në kampionat, edhe në Evropë. “Ajo çfarë unë dua të them është se ne do të tregojmë interesin tonë vetëm, nëse do të na jepet shansi, ka komentuar Ferguson. Por, në të vërtetë unë nuk mendoj se do të arrijmë në një marrëveshje të tillë. Sigurisht, unë po të njëjtën gjë kam menduar edhe për transferimin e Alan Smith apo Rio Ferdinand. E megjithatë, tani gjërat nuk janë aspak si në ato raste. Unë mund të rendis rreth 15 emra, të cilët janë transferuar midis Lidsit dhe Mançester Junajtid, por nëse flasim për skuadrën e Liverpulit, kemi të bëjmë me një histori 40 vjeçare. Është një situatë krejtësisht e kundërt nga të dikurshmet. Mund të them se midis Kin dhe Zherard ka shumë ngjashmëri, sepse ata të dy janë në gjendje të nxjerrin në pah, energji dhe shpirt gare në lojë. Mendoj se Zherard do të jetë i vetmi që mund të ngjitet në nivelin e lartë të Roit. Tashmë Zherard e ka treguar veten se kush është me fanelën e Liverpulit, por ndër të tjera, ai mund të quhet fare mirë e ardhmja për skuadrën përfaqësuese angleze”.