E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkatërron për inat shtëpinë e kundërshtarit

16/01/2005  Florian Përllaku arrestohet nga policia, pasi i ka shkatërruar shtëpinë kundërshtarit të tij, Haziz Gjoka. 24-vjeçari mësohet se ka patur probleme për motive pronësie me rivalin. Duke mos patur asnjë mundësi për ta shtënë në duar ndërtesën 1-katëshe, i ka vënë varenë.

Plani

Florian Përllaku pretendonte prej kohësh se, një nga shtëpitë 1-katëshe pak metra prapa godinës 19, në Qytetin Studenti, i përkiste atij. Në të vërtetë, 24-vjeçari nuk kishte asnjë të drejtë pronësie mbi të. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.1, shprehen se banesa ishte regjistruar në emër të shtetasit Hazis Gjoka. Pronari legjitim rezultonte i tillë dhe në hipotekë. Ai kishte dhe një shtëpi tjetër, ndaj nuk banonte aty. Që nga dita e ndërtimit e kishte dhënë me qira. Ndaj, Përllaku, me gjithë dëshirën për t'u konfrontuar me të zotin, nuk kishte mundur asnjëherë të kontaktonte. Për më tepër, i arrestuari nuk kishte asnjë dokument që të përligjte pretendimin e tij. Duke mos patur mundësi tjetër për të reaguar, i riu zgjodhi një mënyrë shumë dinake për t'u hakmarrë. Vendosi t'ia shkatërronte shtëpinë Gjokës, si shenjë proteste. E pati fare të thjeshtë të realizonte synimet e tij. Përshkoi pak metra rrugë deri në qendër të Tiranës, tek "Ushtari i panjohur", ku ka punëtorë krahu me shumicë. Zgjodhi dy prej tyre, duke u premtuar shuma të majme parash në këmbim të pak orëve pune. Ora shënonte 15.00 e mesditës të së premtes, kur punëtorët dhe Florian Përllaku u dhanë te gardhi i shtëpisë së Haziz Gjokës.

Hakmarrja

Florian Përllaku e dinte se qiraxhiu që banonte në banesën përdhese dilte prej andej çdo pasdite. Priti pak minuta, deri sa ai të humbte tej në rrugë dhe i kërkoi punëtorëve që të kapërcenin gardhin. "Merrni varetë dhe levat dhe bjeruni mureve. Kjo shtëpi duhet prishur brenda orës. Unë jam pronari i saj dhe më duhet ta rrëzoj në tokë. Do të ndërtoj një tjetër në vend të saj. Mos e vrisni mendjen, nëse prishen orenditë brenda. Janë të amortizuara dhe nuk më dhimbsen", u tha Përllaku atyre. Punëtorët as që i vunë në dyshim fjalët e tij, duke e zbatuar urdhrin në çast. Varetë dhe levat i rrëzuan dyert, dritaret dhe muret në më pak se një gjysmë ore. Duket se 24-vjeçari nuk u shqetësua as nga pasthirrmat e fqinjëve të habitur, që nuk e njihnin për pronarin e godinës, tashmë të shkatërruar totalisht. Të njëjtat burime nga Komisariati nr.1, saktësojnë se, kur shtëpia qe bërë e pabanueshme, Florian Përllaku u nda i kënqur dhe u kërkoi punëtorëve të ndalnin veglat. "Mjafton. Merrini paratë dhe do largohemi së bashku", shtoi Përllaku. Pak orë më pas, kur qiraxhiu mbërriti në shtëpi, u shokua nga pamja që iu servir para syve. Banesa ishte e shkatërruar dhe nga të çarat e mureve dilnin qen e mace, që kishin hyrë për t'u ushqyer. Ai mësohet se lajmëroi menjëherë të zotin e shtëpisë dhe policinë. Nuk kaluan as 12 orë që, agjentët të zbulonin autorin e ngjarjes. Dëshmitë e Hazizit për rivalin në pronësi si dhe të fqinjëve që përpiluan identikitin e tij, bënë të mundur identifikimin dhe më pas arrestinin e Florian Përllakut. "E shkatërrova shtëpinë nga inati, që nuk m'u dha mua pronësia", deklaroi 24-vjeçari para oficerëve të policisë gjyqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›