E Hënë, 2 Nëntor 2026

Droga e Vlorës, shoferi i maunes gjykohet i vetëm

16/01/2005  TIRANË – Shoferi i maunes ku u gjend e fshehur sasia e hashashit prej 312 kilogramësh, ka patur trajtim ndryshe nga pjesëtarët e tjerë të grupit. Edmond Papa ishte i pari që erdhi në gjykatë për të marrë masën e arrestit me burg pa afat. Ndërkohë që pas dërgimit të tij në dhomat e paraburgimit, emra të tjerë dolën në skenë. Edmond Papa u shoqërua nga policia në dhomat e Komisariatit numër tre në Tiranë.

Të tjerët

Ndërsa pjesëtarët e tjerë mbahen në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Nga burime të brendshme të organit të akuzës, mësohet se shoferi ka treguar disa emra personash, që kanë patur dijeni për ngarkesën e mallit në maune. Ky ka qenë edhe shkaku që organi i Prokurorisë, edhe pse shoferi u arrestua në të njëjtën ditë e orë me italianin dhe pronarin Ilia Simoni, e solli atë një ditë para në gjykatë, për të marrë masën e sigurimit me burg pa afat. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, asnjë prej të pandehurve nuk pranoi veprën penale. Madje, edhe shoferi u shpreh se ka bërë vetëm detyrën dhe se nuk kishte dijeni për atë që ndodhej në maune. Të pandehurit u ndaluan dhe më pas u arrestuan në datë 10 janar në portin e Vlorës.

Droga

Maunia ku ishte fshehur me shumë kujdes sasia prej 312 kilogramë hashash, kishte si destinacion Italinë. Por, edhe pse malli u gjend në sy të të pandehurve, asnjë prej tyre nuk e pranoi autorësinë. Mendohet se shoferi i maunes është përdorur nga Prokuroria për të nxjerrë emra të tjerë të implikuar. Edmond Papa do të mbahet nën kujdes dhe procedimi i tij penal mund të veçohet nga ai i personave të tjerë. Megjithatë nga ana e përfaqësuesve të akuzës, deri tani nuk është bërë i ditur asnjë fakt konkret, përveç sistemimit të tij në Komisariatin numër tre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›