Ferguson e sheh veten te Mourinho

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka pranuar se homologu i tij nga Real Madridi, Jose Mourinho ia kujton veten e tij kur ishte më i ri. Dy trajnerët janë miq të ngushtë, derisa ish-menaxheri i Chelseas, Mourinho spekulohet të jetë njëri prej kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e gjigantit nga Old Traffordi, kur Ferguson të vendosë të pensionohet.
Ferguson thotë se e sheh veten te portugezi, i cili para kalimit në Madrid më 2010, udhëhoqi Interin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve, Serie A, Kupën e Italisë.
Skocezi tha për një libër të ri në Spanjë që titullohet Jose Mourinho, Sekretet e Suksesit të tij: “E shikoj Josen dhe e shoh veten në shumë gjëra që bën. Në vitin e parë te Chelsea, kur e kam parë duke vrapuar afër vijës anësore në Old Trafford, më kujtonte vitet e mia të para në Aberdeen, duke kërcyer, duke ngritur duart, duke festuar. Ne jemi njerëz. Nuk mund t’i fshehim emocionet tona. Ato janë gjithmonë prezente, janë pjesë e asaj që jemi, të karakterit tonë”.