E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ferguson: Çelsi, detyrë e vështirë

22/01/2005  

Skuadra e Mançester Junajtid tashmë do të përballet me një mision tepër të vështirë në luftën për të fituar titullin kampion. Kjo do të thotë se për të ngushtuar hendekun me liderët e Çelsit, djajtë e kuq duhet të mposhtin diferencën e 11 pikëve. Sigurisht edhe vetë trajneri skocez, Sir Aleks Ferguson e di fare mirë një gjë të tillë. Në të vërtetë skuadra që ai drejton nuk do të dorëzohet për asnjë çast deri sa të arrihet një objektiv kaq i vështirë në Premier Ligë. “Forma e tyre, kohët e fundit ka qenë më se e shkëlqyer, ka komentuar Ferguson. Ajo çfarë na duhet të bëjmë ne është që të fitojmë sa më shumë ndeshje sepse nuk do të harrojmë asnjëherë se këtë e presin me padurim rreth 67.000 njerëz në Old Traford. Tashmë jemi duke përjetuar një periudhë mjaft delikate dhe nëse vazhdojmë që të ruajmë seritë tona të fitoreve, gjithçka mund të ndodhi. Duhet të shpresojmë akoma se Çelsi do të përballet së shpejti me dështimet e para, ndonëse për momentin gëzojnë një nivel të jashtëzakonshëm”. Ditën e sotme skuadra e Mançester Junajtid do të pres në “Old Traford”, Aston Vilën me shpresën se një fitore kundër djemve të Dejvid O’Lirit do të bënte të mundur që djajtë e kuq të renditen në vendin e dytë. Ndërkohë Arsenali do të ketë një takim jo të lehtë kundër Njukasëllit, ditën e nesërme. Një lajm i mirë për skuadrën e Ferguson do të jetë rikthimi i mbrojtësit Rio Ferdinand, i cili ka hedhur prapa krahëve tërheqjen muskulore që e mbajti për katër ndeshje larg fushave të futbollit. Alan Smith nuk do të jetë në dispozicion të Fergusonit, por pritet që ai të aktivizohet në takimin gjysmëfinal të Kupës Karling kundër Çelsit. Djajtë e kuq vinë në takimin me Aston Vilan pas tetë fitoresh dhe tre barazimesh në 11 ndeshjet e fundit të zhvilluara në Premier Ligë. “Arsyeja se përse jemi akoma në këtë pozicion është se ne tashmë kemi dalë në lojën tonë, ka shtuar Ferguson. Mund të them se mbrojtja ka qenë një nga motivet e suksesit tonë në ditët e fundit. Një mbrojtje e mirë na kë bërë që të ruajmë gjithmonë disa fitore tepër të rëndësishme. Të njëjtën gjë ka provuar edhe Çelsi. Duhet të vazhdojmë gjithmonë kështu sepse në këtë formë do të arrijmë rezultatet dhe sukseset që duam”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›