E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paskuli: Ndaj Vllaznisë për fitore

22/01/2005  Argentinasi kërkon nga të tijtë impenjimin maksimal për sfidën më të rëndësishme të javës ndaj kuqebluve

Blutë kanë një ndeshje me të vërtetë shumë të vështirë këtë javë, përballë skuadrës së Vllaznisë. Sfida që do të luhet në qytetin e Elbasanit pritet të jetë dhe më interesantja e kësaj jave, pasi të dyja skuadrat do të futen në fushën e lojës, për të marrë tri pikët e fitores. “Mendoj se përballë Vllaznisë duhet të tregojmë lojën tonë më të mirë dhe ajo që është më e rëndësishme, aktualisht të arrijmë të marrim tri pikët e fitores. Kjo, për Dinamon është një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht”. Kështu, është shprehur trajneri argjentinas i bluve, Pedro Pablo Paskuli, para sfidës që do të luhet në “Ruzhdi Bizhuta”, e ku Dinamo është skuadra pritëse. Ndërkohë, edhe njëherë argentinasi i bluve pranon se kjo sfidë është shumë e rëndësishme e skuadra e drejtuar prej tij është e dënuar për të fituar. “Për sa i përket objektivit të Kampionatit kuptohet se tashmë ne nuk mund të arrijmë ta plotësojmë këtë të fundit. Jemi shumë larg kreut dhe duhet të tregohemi perfektë që të arrijmë te ky objektiv dhe kjo gjë kuptohet se është e pamundur. Tashmë mund të pretendojmë vetëm Evropën e për të bërë një gjë të tillë, duhet të fillojmë të fitojmë që nga kjo ndeshje kundër Vllaznisë. Pas barazimit në fushën e Rrogozhinës, skuadra duhet të rigjejë edhe njëherë, besimin te vetja dhe tri pikët kundër kuqebluve janë rasti më i mirë, për të bërë diçka të tillë. Normalisht, pas një fitoreje kundër një rivali direkt, edhe skuadra do të jetë shumë më e qetë, të paktën psikologjikisht”, vijon më tej tekniku i nënkampionëve. “Ndërkohë që unë veç të tjerave do të thoja se skuadra aktualisht ka nevojë për pikë. Pozicioni ynë në tabelën e klasifikimit nuk na lejon që të gabojmë më dhe tri pikët e fitores janë alternativa e vetme e bluve në këtë ndeshje”. Ndërkohë, edhe dje nënkampionët kanë zhvilluar një seancë të shkurtër stërvitore, përpara sfidës së radhës me Vllazninë. Tekniku Paskuli nuk ka dashur të sforcojë shumë ekipin para sfidës dhe në pjesën më të madhe të seancës stërvitore të ditës së djeshme, nënkampionët kanë kryer disa vrapime shpejtësie. Madje, ashtu siç ndosh zakonisht, një ditë para ndeshjeve të Kampionatit ishte italiani Neri, ai që mori frenat e skuadrës në dorë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›