E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mema: Me Teutën, maksimumin

22/01/2005  

Takimi i javës së kaluar me Lushnjen cilësohet tashmë si një kapitull i mbyllur për Partizanin, që sot do të jetë i angazhuar në trasfertën e vështirë të Durrësit. Për trajnerin e të kuqve, Sulejman Mema, kjo sfidë është shumë e vështirë, por skuadra e tij do të tentojë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv. “Ndeshja e nesërme (sotme) kundër Teutës është mjaft e vështirë”, ka thënë ai. “Jemi të vetëdijshëm për këtë fakt, megjithatë Partizani do të tentojë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv në këtë trasfertë. Kjo, sepse nuk kemi më se çfarë të humbasim, pasi skuadra është në një pozitë shumë të vështirë”. Duke e njohur mjaft mirë skuadrën e drejtuar nga Bajko, drejtuesi i stolit të kuq ka vijuar duke thënë se të tijtë janë të përgatitur seriozisht për këtë sfidë. “Teuta ka një skuadër mjaft të mirë, të përgatitur si fizikisht ashtu edhe taktikisht, e që në fushën e saj bëhet një rival pothuajse i pakalueshëm. Dora e Bajkos duket qartë. Këtë gjë e dimë mjaft mirë edhe ne, ndaj jemi përgatitur seriozisht për këtë transfertë të vështirë, duke pasur vlerësimin maksimal”. Për Memën ndeshja e javës së kaluiar kundër Lushnjes konsiderohet si e kaluar, e se tashmë duhet parë vetëm përpara. “Ndeshjen me Lushnjen e cilësoj si një kapitull të mbyllur. Nëse do të rrinim duke menduar për ato çfarë kemi lënë pas, mendoj se do të mbeteshim në vend numëro. Me të gjithë djemtë kemi folur shumë në lidhje me atë takim, duke analizuar gabimet tona, në mënyrë që ato të mos vazhdojnë të përsëriten. Gjatë kësaj periudhe, tek të gjithë kam parë dëshirën për ta harruar sa më shpejt barazimin me Lushnjen dhe për të mënduar për Teutën. Jemi në kuotë të barabartë pikësh, vijmë nga rezultate jo fort të kënaqshme, ndaj të dyja do të kërkojmë rezultatin”. Mema ka folur edhenë lidhjet me mungesat e rëndësishme që do të ketë skuadra e tij në këtë takim, të dy titullarëve Rizvanolli e Allmuça. Sipas tij, padyshim që loja e tyre do t’i mungojë skuadrës, e janë pikërisht lëvizjet e fundit në merkato, ato që i japin mundësinë që të zgjedhë mes disa lojtarëve cilësorë. “Për fat të keq, do të na mungojnë dy futbollistë mjaft të mirë dhe që bënë një paraqitje të mirë me Lushnjen. Megjithatë, mendoj se me merkaton që kemi zhviluar i kemi dhe mundësitë për të zgjedhur. Nuk mund të them me saktësi se kush do të jenë zëvendësuesit e tyre, por kjo do të mësohet para lojës”. Ndërkohë që Mema e ka përfunduar deklaratën e tij, duke folur për objektivin e skuadrës për këtë takim, që padyshim është fitorja. “Çdo skuadër që zbret në fushën e lojës, ka si synim kryesor fitoren. Në këtë prizëm edhe Partizani nuk bën përjashtim. Edhe pse takimi do të jetë i vështirë, ne jemi përgatitur seriozisht për të marrë një rezultat pozitiv në Durrës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›