E Hënë, 2 Nëntor 2026

Peng për 3 mijë euro sekseri i Arben Likës

23/01/2005  Një nga sekserët e rrjetit të vizave që, sipas policisë, dyshohet se drejtohej nga një grup ku bën pjesë dhe ish-deputeti Arben Lika, është marrë të premten peng nga 3 persona. Alfred Beqiraj u rrëmbye në mëngjes nga një furgon me targa KR 3963 A, ku gjendeshin Platin e Luan Malja, si dhe Arjan Topalli. Ata e mbajtën disa orë peng sekserin, duke i bërë presion që t'u kthente shumën prej 3 mijë eurosh që ai ua kishte marrë në këmbim të një vize amerikane.

Pengmarrja

Teksa dilte nga shtëpia e tij, diku në Laprakë, Alfred Beqirajt as që ia merrte mendja se për pak çaste do t'i privohej liria. Pa mundur të bënte as 10 hapa tej shtëpisë, një furgon tip "Benz" me targa KR 3963 A frenoi para këmbëve të tij. 3 persona dolën menjëherë nga automjeti dhe e tërhoqën nga krahët. Pa i lënë mundësinë më të vogël të reagonte apo t'ua mbathte këmbëve, Alfred Beqiraj e pa veten të futur në furgon dhe të mbërthyer nga dy palë duar të forta. Sakaq, mjeti qe larguar nga Lapraka në drejtim të Kamzës. Pa arritur të kuptonte asgjë, 32-vjeçari tentoi të kërkonte shpjegim me gjeste. Por hamendjet e tij nuk zgjatën veçse pak momente. Përballja e shikimit me Platin Maljen, të cilit i kishte marrë pak kohë më parë 3000 euro, ia nxeci fjalët në grykë. "Mos u tremb Alfred. Ti më njeh mirë se kush jam. Ne nuk do të të bëjmë asgjë. Ti do më kthesh paratë që më ke marrë për punën e vizës dhe ne do të lëmë të lirë", ishin fjalët e pengmarrësit, drejtuar viktimës së tij. Ky i fundit qe rrekur t'i sqaronte se nuk i kishte më paratë e tij. Ato kishin përfunduar në duart e një trafikanti, i cili rregullonte vizat. Por për momentin, ai nuk ishte në gjendje t'ua jepte ato. Duket se pengmarrësit kishin dijeni dhe për personin në fjalë, që gjendej në hall këto kohë dhe nuk mund t'u shërbente me viza. Pengmarrja zgjati disa orë, gjatë të cilave, furgoni me targa të Krujës u endte rrugëve. Gjatë kësaj kohe, policia kishte arritur të mësonte se, Alfred Beqiraj ishte marrë peng nga një automjet me këto të dhëna. Kësisoj, pas një pune të shkurtër dhe të mirëfilltë operative, u bë i mundur lokalizimi i mjetit. Në bashkëpunim dhe me policinë rrugore, u bë i mundur që furgoni të bllokohej dhe të ndalej. Sakaq, personat që udhëtonin në të kishin arritur të pikasnin se ndiqeshin. Luan Malja dhe Arjan Topalli arritën të zbrisnin nga furgoni, ku gjendeshin në pjesën e pasme së bashku me pengun. Teksa ata ia mbathën arave, policia arriti të kapte Pluton Maljen dhe të lironte sekserin Alfred Beqiraj.

Hetimet

Lirimi i pengut nga policia e Tiranës është shoqëruar me habinë e madhe të efektivave, kur dëgjuan motivet e rrëmbimit të tij. Albert Dervishi, drejtori i policisë së Tiranës, i kontaktuar në linjë telefonike nga gazeta "Metropol", u shpreh se deri në atë çast askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se Alfred Beqiraj do të ishte marrë peng për probleme vizash. E aq më tepër, që kishin lidhje me Arben Likën. "Nuk kishim dijeni për lidhjen e tyre. Ne si polici kishim si qëllim vetëm çlirimin e pengut. Më pas doli në skenë se Beqiraj u kishte marrë djemve nga Fushë-Kruja 3000 euro në kmëbim të një vize dhe se paratë kishin shkuar në duart e Likës", pohon kryekomisar Albert Dervishi. Sakaq, të njëjtat burime nga Drejtoria e Qarkut të Tiranës, saktësojnë se hetimet e mëtejshme zbuluan se, Alfred Beqiraj, ishte pjesë e rrjetit të trafikut të vizave, që dyshohet se e drejtonte i plagosuri i së hënës në mbrëmje. Ndërkohë, mësohet se gjendja shëndetësore e ish-deputetit të plagosur është jashtë rrezikut për jetën. Lika ruhet në spital në masa të rrepta sigurie, pasi ende nuk janë identifikuar autorët e ngjarjes.

Dëshmitë e të arrestuarve

"Ai ishte një nga sekserët e shumtë që merreshin me gjetjen e klientëve dhe në këmbim merrnin një pjesë të vogël të fitimit të Arben Likës. Këtë fakt e konfirmoi më së miri dhe i arrestuari i grupit të pengmarrësve. Platin Malja tha për oficerët e policisë gjyqësore, se i kishte dorëzuar personalisht pak kohë më parë Beqirajt 3000 euro, nën premtimin e një vize amerikane". Por, kur kishin kaluar mjaft kohë dhe sekseri nuk po i kthente asnjë përgjigje, ai kish vendosur t'i kërkonte shpjegim. "Plagosja e Arben Likës dhe thashethemet për të si trafikant vizash, më bënë të dyshoja se e kisha humbur davanë. Ndaj vendosa ta rrëmbej Alfredin për t'i bërë presion. U kërkova ndihmë djalit të xhaxhait dhe të hallës, pasi i vetëm nuk ia dilja dot ta merrja peng", vijon më tej dëshmia e Platin Maljes. Pohimet e të prangosurit, u mjaftuan bluve që të merrnin në pyetje Alfred Beqirajn. Ai mësohet se ka konfirmuar pjesërisht dëshminë e pengmarrësit të tij. Ai u la i lirë të shkonte në shtëpi, por me kushtin që sa herë ta lypë nevoja të paraqitet në polici, në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje.

Pasaporta e pengmarrësve

Platin Hazbi Malja, 28 vjeç, lindur dhe banues në Tapizë-Krujë, me arsim tetëvjeçar, i padënuar më parë. I arrestuar nga policia

Luan Haxhi Malja, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tapizë-Krujë, me arsim tetëvjeçar, pa precedent penal. Person në kërkim

Arjan Bilal Topalli, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tapizë-Krujë, me arsim tetëvjeçar, i padënuar më parë. Person në kërkim

Policia: Jemi larg identifikimit të autorëve të plagosjes

Policia është ende larg identifikimit të autorëve të plagosjes së Arben Likës, në mbrëmjen e 19 janarit, te shkolla e baletit. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, shprehen se të dhënat që disponohen deri më tash janë të pamjaftueshme. Informacionet e marra mbi pamjen e jashtme të vrasësve janë të pakta, aq sa me to nuk është arritur të formohet identikiti. Është përjashtuar sakaq mundësia e killerëve profesionistë. Duke qenë se arma me të cilën u krye krimi ishte e ftohtë, bie mundësia e vrasësve me pagesë. Nga përvoja absolute e ekzekutimeve të paguara, rezulton se viktima eliminohet me armë zjarri, pasi mundësia e vdekjeve me to është shumë herë më e lartë se me armë të ftohtë. F.B

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›