Ferguson interesohet për Luis Fabiano dhe Huntelar
Mançester Junajtid po interesohet për sulmuesin e Seviljes, Luis Fabiano, për të cilin ka kërkuar informacione vazhdimisht vetë Aleks Ferguson. Futbollisti 27-vjeçar ka shpërthyer në këtë sezon, duke u kthyer në një prej golashënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll dhe duke qenë tashmë pjesë e pandashme e kombëtares braziliane. Statistika e 33 golave në 38 ndeshje të këtij sezoni ka bërë që "djajtë e kuq" të interesohen për shifrën që kërkojnë drejtuesit e Seviljes. Ndonëse Del Nido ka bërë të ditur se futbollisti mund të largohet për 44 milionë sterlina, shuma reale mund të zbresë në 7 milionë euro, pasi kaq është përcaktuar në klauzolën që sulmuesi ka në kontratë. Ndaj gjithçka do të varet nga dëshira e Luis Fabianos, për të cilin ka interesim edhe nga Mançester Siti, Roma, Totenhemi dhe Reali i Madridit. Ndërkohë, mediat britanike kanë bërë të ditur se Mançester Junajtid po interesohet edhe për Klas Jan Huntelar të Ajaksit, i cili është vënë në kërkim të një klubi elitar.