Ferguson nuk e do Beckhamin

Sir Alex Ferguson e ka hedhur poshtë mundësinë e rikthimit të David Beckhamit në Manchester United, gjatë afatit kalimtar të janarit. “Nuk mendoj se David do të rikthehet në këtë moshë. Unë kurrë nuk kam transferuar lojtarë në këtë moshë, apo jo?” u shpreh trajneri skocez për Sky Sports.
Ndërkohë, futbollistit të Los Angeles Galaxysë ia ka mbyllur dyert edhe menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger. “Do ta konsideroja transferimin e David Beckhamit, por ne kemi lojtarë si Theo Walcott, Samir Nasri, Tomas Rosicky, Andrey Arshavin e Emmanuel Eboue, të cilët mund të luajnë në krahë”, tha trajneri francez.
I vetmi klub i interesuar zyrtarisht për yllin anglez është Leicester City. Mirëpo, menaxheri i këtij klubi, Sven-Goran Eriksson ka thënë se oferta e këtij klubi menjëherë është rikthyer mbrapsht nga përfaqësuesi anglez. Ditë më parë, Beckham thoshte se do t’i pëlqente të rikthehet në Manchester United, ku e arriti kulmin e karrierës.