E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëpret vitin 2011

Alexandre Pato i ka lënë prapa lëndimet dhe po mendon për vitin 2011, kur synon të shënojë plot gola dhe të zbavitet duke luajtur. Sulmuesi brazilian e ka lëvduar trajnerin Allegri, për të cilin thotë se po punon në mënyrën e duhur për t’i sjellë sukseset. 21-vjeçari e mirëpret Antonio Cassanon në skuadrën Rossonere, ndërsa shpreson që mos të largohet nga aty Ronaldinho. Nga Express më 25 dhjetor 2010 në ora 11:21

Alexandre Pato dhe viti i tij i tmerrshëm. Kështu mund të përmblidhet viti 2010 i sulmuesit brazilian, të cilin nuk e lanë rehat lëndimet në muskuj. Tash, 21-vjeçari ndihet më mirë.

Ai ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane, Gazzetta dello Sport, ku ka treguar për objektivat e tij për vitin 2011, të cilin dëshiron ta kujtojë si më të mirin në karrierën e tij. Përfaqësuesi brazilian është i qetë dhe pret të rikthehet në muajin janar.

“Jam i qetë dhe i lumtur, sepse kam filluar të vrapoj fort. Po rikthehem, nuk shoh arsye pse të dramatizohen gjërat. Mendoj se lëndimet e mia mund të lidhen me zhvillimin tim fizik. Kam shtuar kilogramë dhe centimetra dhe dëshiroj të shtoj ende. Futbolli italian është i vështirë dhe të jesh i fuqishëm është mjaft e rëndësishme”, deklaroi Pato.

Ai shton se mezi pret që të arrijë viti i ri, por nuk mendon se viti që po përfundon ishte tërësisht i zi për të. “E kam takuar Allegrin, i cili është trajner i madh. Kam shënuar gola dhe isha titullar në Kombëtare. Tash dëshiroj të rifilloj pa lëndime dhe në vitin 2011 të shënoj shumë gola”, nënvizoi ai.

Sa u përket golave, ai bën krahasim me një shok të skuadrës. “Kam munguar në nëntë ndeshje. Kam shënuar gjashtë gola në tetë ndeshje. Me këtë mesatare, nëse do të luaja gjithmonë, tash do të arrija në kuotën e 12 golave. Më shumë se Ibra”, vazhdoi ai.

Pato ndien kënaqësi që do ta ketë mundësinë të bashkëpunojë me shokun e ri të skuadrës, Antonio Cassano. “Është një futbollist i shkëlqyeshëm. Antonio do të na japë një ndihmë të madhe në luftën për të fituar trofe. Së bashku me ne do të zbavitet dhe do të kontribuojë këtu. Jam i lumtur për arritjen e tij, është sikur të vijë një brazilian tjetër në skuadër”, tha Pato.

Kur jemi te brazilianët, ai përmendi edhe Ronaldinhon, për të cilin thotë se e sheh të qetë. Pato dëshiron që ish-futbollisti i Barcelonës të qëndrojë në Milan dhe është i sigurt se ‘Dinho’ e dëshiron një gjë të tillë.

Pato mendon se me Allegrin, Milani do të arrijë suksese. “E shoh një skuadër kompakte dhe agresive. Kjo është meritë e Allegrit. Është një person mjaft inteligjent, në aspektin futbollistik, por edhe në raport me lojtarët”, përfundoi Pato.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›