Prishtina kërkon fitoren e radhës
Ndeshja ndërmjet Pejës dhe Kosovës së Vushtrrisë, që zhvillohet të shtunën në Pejë prej orës 14:00, do ta hapë xhiron e katërmbëdhjetë të BKT-Superligës së Kosovës në basketboll.
Në të njëjtën ditë, zhvillohet edhe derbi i kësaj jave, ku në Prizren prej orës 19:00 do të takohen rivalët e vjetër të basketbollit kosovar, Bashkimi dhe Sigal Prishtina.
Në fakt, nga e kaluara ka mbetur që ballafaqimi i këtyre dy ekipeve ta mbajë epitetin e derbit, sepse sivjet këto dy ekipe kanë dallime shumë të mëdha.
Sigal Prishtina aktualisht është shumë më e fortë se Bashkimi, i cili aktualisht gjendet në vendin e parafundit të tabelës me vetëm 17 pikë të tubuara.
Kurse, bardhekaltrit e kanë pësuar vetëm një humbje në xhiron e parë të këtij kampionati, derisa në dymbëdhjetë ndeshjet e fundit ka shënuar fitore. Andaj, lideri aktual i BKT-Superligës në duel me Bashkimin me gjasë do ta shënojë fitoren e trembëdhjetë rresht.
Ndërsa, të dielën në Mitrovicë zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave. Prej orës 16:00, Mitrovica përballet me ekipin nga veriu i këtij qyteti, Bambin, derisa prej orës 18:00, Trepça përballet me Kolegjin EuroSport.
BKT-Superliga – xhiroja e 14-të
E shtunë
Peja – Kosova14:00
Bashkimi – S. Prishtina19:00
E diel
Mitrovica – Bambi16:00
Trepça – K. EuroSport18:00