Britania në debat për zonën kohore
Do të ishte ky një revolucion i vogël: britanikët janë duke menduar për atë se a duhet ta shfuqizojnë matjen e kohës sipas Greenwich Mean Time – për të koordinuar orën me Evropën Qendrore.
Dhoma e ulët e parlamentit të Britanisë tashmë e ka debatuar këtë çështje, ndërsa tradicionalistët kanë filluar ta mobilizojnë opinionin publik kundër “Kohës së Berlinit”.
Deputetja konservatore, Rebecca Harris dëshiron që akrepat e orës në Britani të lëvizin një orë përpara, si gjatë verës, ashtu edhe gjatë dimrit. Në këtë mënyrë do të eliminohej dallimi kohor mes Britanisë dhe kontinentit të Evropës.
Parlamenti mund të fillojë debatin për këtë çështje në vitin 2011, ndërsa kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka theksuar se do ta shqyrtojë me kujdes këtë ide.
Zhvendosja e akrepave do të kontribuonte që britanikët të kenë më shumë dritë të ditës në përditshmërinë e tyre, theksoi Harris, duke argumentuar se “koha e dyfishtë verore” do të kishte edhe përparësi ekonomike dhe ekologjike.
“Marrë në përgjithësi, populli ynë do të ishte më i lumtur, më i shëndetshëm dhe me mirëqenie më të madhe dhe kjo falë një zhvendosje të vogël të orës”, theksoi Harris.
Mbi 300 organizata, duke filluar nga Greenpeace, e deri te Federata e Futbollit e Anglisë, e mbështesin këtë iniciativë të Harris.