Ferguson sheh "Kun" Agueron si pasardhës të K. Ronaldos
Sër Aleks Ferguson është vënë dëshpërimisht në kërkim të pasardhësit të Kristiano Ronaldos. Alternativa e pëlqyer nga trajneri i Mançester Junajtid është Serxho Aguero, ylli i Atletikos së Madridit. Sipas "Daily Star", ai është i gatshëm të ofrojë rreth 53 milionë euro (45 milionë sterlina) për të bindur argjentinasin dhe drejtuesit e klubit të kryeqytetit spanjoll që të firmosin marrëveshjen. Ferguson shpreson gjithashtu që "El Kun" do t‘i ulë pretendimet për rrogën (rreth 235 mijë euro në javë) dhe është i gatshëm t‘i ofrojë kontratë 5-vjeçare me rreth 140 mijë euro pagë javore. Problem përbën rezistenca e drejtuesve të Atletikos: presidenti Enrike Kerezo konfirmoi për të disatën herë se nuk ka marrë asnjë ofertë zyrtare për lojtarin. Gjithashtu, në Mançester duhet të bëjnë llogaritë edhe me rivalitetin e fortë për të siguruar shërbimet e Agueros. Çelsi dhe Inter janë dy skuadra që e ndjekin prej kohësh dhëndrin e Diego Armando Maradonës, por deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë akordin për blerjen e tij.