E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi përgatit 90 milionë euro për dyshen Ibrahimoviç-Maikon

Sipas tabloidit britanik, "The Sun", Roman Abramoviç është i gatshëm të shpenzojë plotë 90 milionë euro për dyshen e Interit, Ibrahimoviç-Maikon. Nëpërmjet kësaj manovre, bosi i bluve synon të ndërtojë një superskuadër për trajnerin Karlo Ançeloti, i cili do të fitojë Premiershipin dhe Ligën e Kampioneve. Ai gjithashtu kërkon të sfidojë edhe milionat e Florentino Perez në "luftën e yjeve". Paratë për të afruar në "Stemford Brixh" Ibrën dhe Maikon janë llogaritur të ndahen në këtë mënyrë: 60 milionë euro për sulmuesin suedez dhe 30 milionë euro për mbrojtësin brazilian. Çdo gjë varet nga trajneri Murinjo, i cili i cilëson futbollistët si kolona mjaft të rëndësishme për ekipin e tij. Gjithsesi, më tej "The Sun" theksonte se shuma e propozuar nga Abramoviç mund të mos jetë e mjaftueshme. Interi pretendon të paktën 100 milionë euro për kartonin e dy lojtarëve. Në këtë mënyrë mund të plotësohen edhe pretendimet financiare të presidentit Masimo Morati, duke qenë se patroni zikaltër do të heqë dorë nga këta dy lojtarëve vetëm për shifra të tilla.

Çelsi ende nuk ka arritur të realizojë blerje të mëdha, edhe pse deri më tani Ançeloti ka vendosur në listën e merkatos emra si Pirlo, David Vija, Aguero, Pato dhe dy interistët. Dëshirat e ish-drejtuesit të stolit të Milanit mund të plotësohen edhe sepse politika e ndjekur nga Abramoviç është e njëjtë me atë që shtyu Florentino Perezin të shpenzojë shuma marramendëse për të transferuar në Madrid yje si Kaka dhe Kristiano Ronaldo: gjithçka bazohet te marketingu, imazhi, reklamat dhe përfitimet nga shitja e biletave. Ndërkohë, Florent Maluda ka vendosur të qëndrojë në Londër. Mesfushori francez rinovoi edhe për katër sezone kontratën me Çelsin. 29-vjeçari u bë pjesë e bluve në vitin 2007, pas transferimit nga Lioni, por për shkak të marrëdhënies së vështirë me Felipe Skolarin, ai po mendonte seriozisht largimin. Situata ndryshoi me mbërritjen e Gus Hidink, falë skemave të të cilit paraqitjet e Maludas u përmirësuan dukshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›