E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitojnë skuadrat e FOTA-s, ikën Mosli, rregullat e 2009-ës

Në mbledhjen e Këshillit Botëror të FIA-s në Paris, për surprizë është gjetur marrëveshja për rregulloren mes Federatës dhe skuadrave: një Botëror të vetëm nën drejtimin e FIA-s, me të njëjtat rregulla të këtij viti dhe pa tavan buxheti. Pra, një fitore e Ferrarit në të gjitha drejtimet. Me sa duket Mosli nuk do të rikandidojë më për presidencën e ardhshme. Dhe jo vetëm: FIA ka vendosur të mos i prekë më rregulltat, të cilat do të mbeten të tilla deri në fund të 2012-ës. Kjo do të thotë se për këtë periudhë nuk do të ekzistojë më rregulli i famshëm i tavanit të shpenzimeve në kuotën e 45 milionë eurove, të paktën sipas FOTA-s. Ky rregull do t‘u kursejë një mal me para skuadrave, të cilat do të duhej të ribënin nga fillimi një makinë të re për të respektuar rregullat pak a shumë të çmendura. Pas eksperimentit me "Kers"-at (e hedhur në kosh nga të gjitha skuadrat), të gomave super të buta për t‘u përdorur me detyrim të paktën një herë në garë dhe mijëra rregullave të tjera, është vërtet e vështirë të mos ua vësh veshin konstruktorëve. Në fund është vetë Mosli ai që shpjegon se "objektivi është të kthehemi brenda dy vitesh në nivelin e shpenzimeve të fillimit të viteve ‘90". Jam i lumtur, ka thënë më pas Luka Kordero di Montezemolo, presidenti i Ferrarit dhe i FOTA-s, që në këtë mbledhje triumfoi mirëkuptimi". Thelbi i çështjes tani është një tjetër: si ia doli Ferrari të marrë këtë fitore? Si ia doli t‘i shkaktonte këtë disfatë Moslit, duke marrë në konsideratë se, pozicionimet e fundit kanë qenë: nga njëra anë kërcënimet e shoqatës së skuadrave të Formula 1 (FOTA) për t‘i dhënë jetë një kampionati alternativ, nga ana tjetër presidenti Mosli, i cili lajmëroi se do të ndiqte rrugën ligjore kundër skuderive të përfshira në projektin e ri? Përgjigjja qëndron te fakti se, Ferrari dhe ortakët ia dolën të mbërthejnë në një qoshe Moslin. Dhe se nëse presidenti nuk do të ishte tërhequr nga të gjitha pikat e paralajmëruara, do të hidhej në votëbesim dhe të flakej jashtë FIA-s. Në këtë pikë, vetë Federata do të kishte pësuar një humbje të madhe dhe ndoshta të pariparueshme, një dëmtim të imazhit të saj. Ndërsa me zgjedhjen e djeshme është ndarë "vizioni Mosli" nga strategjia afatgjatë e FIA-s. Dhe Formula 1 e madhërisë së tij Bernie Ekleston mund të vazhdojë të jetojë pa shumë probleme. Komenti i Çik në blog, e interpreton mirë ndjenjën e shumë tifozëve: "Gjynah! Mua më vjen shumë keq, do të kisha preferuar një Botëror alternativ, një revolucion të bukur. Gjithsesi kisha frikë se, në fund do të gjendej një marrëveshje...". Po tani çfarë do të ndodhë? Në kampionatin e 2010-ës do të marrin pjesë 8 skuadrat e FOTA-s (Ferrari, MekLaren, Red Bull, Toro Rosso, Renault, Braun GP, Toyota e BMV Sauber), dy të nënshkruarat pa rezerva (Force India e Uilliams) dhe tre skuderitë e reja (Manor, Campos e US F1), që sezonin e ardhshëm do të debutojnë në pistë. Kjo përplasje FIA-FOTA ka sjellë të paktën diçka të mirë: një start nisjeje më të më të pasur me makina...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›