E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Jahmir Hykës: Palermo më merr, do të ishte një ëndërr

Sezoni jo i mirë te Mainc në Bundesligën II gjermane nuk e ka ndaluar Jahmir Hykën që të tërheqë vëmendjen e disa klubeve europiane. Mes tyre, e interesuar për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare është edhe Palermo nga Seria A. "Kam biseduar me menaxherin tim, i cili më ka bërë të ditur se Palermo më kërkon", deklaroi 21-vjeçari. "Për mua do të ishte një ëndërr të luaja me këtë skuadër. Shoku im, Ujkani, më ka folur shumë mirë për qytetin dhe për këtë piacë. Do të më pëlqente të luaja në elitën e futbollit italian. Di edhe se presidenti i sicilianëve, Zamparini, është një njeri për së mbari". Hyka ka folur edhe rreth mundësive për t‘u transferuar në radhët e zirozëve. "Shanset që të luaj te Palermo janë 50 me 50. Menaxheri im më tha se mund të gjendet një akord. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë biseduar me Maincin dhe do të isha i lumtur nëse ata do të arrinin marrëveshjen". Duke përshkruar veten për tifozët palermitanë, ish-lojtari i Tiranës shtoi: "Zotëroj teknikë të mirë dhe jam mjaft i shpejtë me topin. Kam zhvilluar ndeshje të mira kundër Milanit dhe përfaqësueses U-21 të Italisë. Mendoj se jam një përzierje ndërmjet Mikolit dhe Simplisios". Ndërkohë, në anën tjetër të telefonit, vëllai, i cili qëndronte pranë tij pëshpëriste: "Është më i mirë se Mesi, Jahmiri është më i talentuar se Mesi". Por, duke qëndruar me këmbë në tokë dhe mes buzëqeshjes, lojtari tha: "Jo, vëllai im bën shaka. Më duhet ende edhe shumë punë për të arritur në nivele të tilla".

Më tej, Hyka flet sikur transferimi te Palermo ka përfunduar. Ai jep edhe një mendim për drejtuesin e ri të stolit, Valter Zenga. "Është një trajner i mirë, ka drejtuar Katanian dhe arriti t‘i siguronte mbijetesën kësaj skuadre. Për mua do të ishte diçka e bukur të stërvitesha prej tij. Për më tepër që do të luaja përkrah Kavanit dhe mbi të gjitha në të njëjtin ekip me Mikolin. Palermo po punon mirë për ndeshjet në kupat e Evropës, mund të jetë piaca ideale për mua", ishte komenti i mesfushorit. Rreth këtij transferimi palët kanë diskutuar një herë në fund të muajit maj, por gjithçka pritet të vendoset në takimin e ardhshëm mes palëve. Një alternativë për mesfushorin janë edhe zviceranët e Bazelit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›