Prezantimi i Ronaldos, priten 25 mijë tifozë në "Bernabeu"
Ende nuk ka informacione nëse Kristiano Ronaldo ka arritur në detajet e kontratës me Realin e Madridit për t‘u transferuar zyrtarisht në "Santiago Bernabeu". Pavarësisht kësaj, mediat spanjolle dhe ato botërore theksojnë se klubi "merengue" ka përcaktuar datën 6 korrik (e hënë), si ditën kur do të prezantojnë "Topin e Artë". E përditshmja "As" shkruante se në ditën kur mesfushori portugez do të veshë për herë të parë fanellën e Realit, pritet që 25 mijë tifozë të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit, për të ndjekur këtë ngjarje. Ndihmësit e Perez kanë filluar diskutimet për të përcaktuar detajet e spektaklit, ndërsa spekulohet se Ronaldo do të shfaqet para mediave dhe tifozëve në orën 20.00, në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi ta shohin prezantimin pas orarit të punës. Aktualisht, rekordi për numrin e mbështetësve madrilenë të pranishëm gjatë zyrtarizimit të një blerjeje mbahet nga Robinjo: më 26 gusht 2005, 11 mijë tifozë u paraqitën në stadium. Ndërsa Zinedin Zidan mban rekordin për mediat, me 400 gazetarë të akredituar.