E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhia: Hykën e kërkon Xhenoa dhe një tjetër elitare në Serinë A

Përveç Palermos dhe Zyrihut, Jahmir Hyka ka edhe një tjetër alternativë mjaft të mirë ku mund të vazhdojë karrierën. Bëhet fjalë për një tjetër skuadër të Serisë A, Xhenoa. Skuadra e drejtuar nga trajneri Xhan Piero Gasperini do të luajë në fazën e grupeve të Europa League, pasi e përfundoi kampionatin italian në vendin e pestë. "Hyka është një talent i jashtëzakonshëm. Nëpër Europë janë të shumta skuadrat që e kërkojnë", konfirmoi menaxheri Sokol Haxhia. "Përveç Palermos, për të interesohen edhe dy klube të tjera me shumë nivel në Serinë A. Do të thosha dy skuadra elitare në Itali. Ndonjë detaj më shumë? Mund t‘ju them vetëm se djaloshi pëlqehet së tepërmi nga Enriko Preciozi, presidenti i Xhenoas, në skuadrën e të cilit çdo vit lojtarët e rinj gjejnë hapësira". Duke u kthyer tek interesimi i Palermos, Haxhia zbuloi disa detaje mjaft interesante, duke bërë të ditur edhe mënyrën sesi Hyka mund të largohet nga gjermanët e Maincit. "Hyka i bëri shumë përshtypje Zamparinit, presidentit të sicilianëve në miqësoren Shqipëri-Milan. Nuk e njoh personalisht, madje deri më tani nuk jemi takuar të bisedojmë rreth transferimit, pasi ndodhem në Ukrainë, por ai ka treguar se beson te talentet shqiptare. Palermo ka afruar Sajmir Ujkanin, Edgar Canin dhe zotëron gjysmën e kartonit të Brian Filipit.

Gjithsesi, ai nuk ishte i vetmi që e pëlqeu lojën e Jahmirit kundër Milanit. Hyka të kujton Lavecin dhe për të Mainci shpenzoi 3.5 milionë euro. Por, në kontratë ekziston një klauzolë, sipas së cilës nëse lojtari nuk luan një numër të caktuar ndeshjesh, atëherë ai mund të largohet me 1/5 e shifrës së paguar. Mund të konfirmoj se atij i pëlqen të luajë në Itali", përfundoi menaxheri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›