Feride Bako, kërkesë Edi Ramës: Të lutem më ço në shtëpi
Falja nga Presidenti, një mrekulli. Kështu është cilësuar veprimi i djeshëm i Presidencës, që dekretoi faljen e dënimit për 37 persona nga vetë të dënuarat. Krejt i papritur për to, pasi kishin humbur shpresat për të përfituar ulje apo falje të dënimit. Lot shihje dje në sytë e tyre, teksa përpiqeshin të kontaktonin me familjet e tyre për t’u dhënë lajmin, apo përgatisnin çantat për t’u larguar kush kishte familjet në Tiranë. Por nuk ishin të vetmet që lotonin. Të gjitha gratë e dënuara i shihje me lot në sy. Lotët e tyre ishin lot gëzimi dhe hidhërimi. Disa qanin nga gëzimi për lirimin nga burgu, të tjera që u ishte falur një pjesë e dënimit të mbetur. Por, kishte një pjesë të konsiderueshme të dënuarash që qanin pse nuk ishin përfshirë nga Presidenti në dekretin e faljeve apo të uljeve të dënimit. Në fytyrat e tyre shihje zhgënjim, të cilin janë duke e përjetuar prej dy vjetësh, sa herë ka festa apo dhe ditë të shënuara. Sipas tyre, kanë pasur shpresë, por kanë mbetur të zhgënjyera dhe dje zhgënjimi ka marrë përmasa edhe më të mëdha, kur kanë parë që nuk janë përfshirë në dekretin e kreut të shtetit. “Më kishin mbetur vetëm 6 muaj burg. Nuk e kuptoj si nuk e futi emrin tim në listë. Si unë ka edhe shumë të tjera këtu. Vetëm me 1 muaj apo dhe disa muaj burg. Por, nuk jemi vetëm ne me pak muaj burg. Ka shumë të dënuar. Prisnim më shumë nga Presidenti, por paska qenë shumë i kursyer. Hyrja në NATO menduam se do ia zbuste më tepër zemrën dhe do përfshinte shumë në listën e të falurve”, - shprehet njëra nga të dënuarat. Ndërkohë, të tjera na afrohen sapo mësojnë që jemi gazetare. “Çdo vit kemi pritur prej Presidentit falje ose ulje dënimi. Me zor i ka pasur këto faljet, vetëm një herë për 8 Marsin dhe jo më. Pritëm shumë me rastin e futjes së Shqipërisë në NATO prej z. Topi, por na zhgënjeu. Jemi vetëm me nga një vit burg dhe nuk e vuri dorën në zemër”, - shprehet një tjetër e dënuar, Nafije Lika, e cila shton se “nuk kam lënë ditë pa kryer nga dënimi im, dhe, kur prisja të më përfshinte në listën e faljes Presidenti, kjo nuk ndodhi. Shumë zhgënjim”. Kjo ishte panorama që të ofrohej pasditen e djeshme në burgun 325, në seksionin e grave, ku 16 gra u liruan dhe 2 prej tyre përfituan falje të një pjese të dënimit.
Feride Bako: Zoti Rama, më ndihmo të shkoj në shtëpi Një e dënuar që përfitoi dje nga falja e Presidentit ishte edhe Feride Bako, e cila u bë personazh publik ditën e 8 Marsit, kur kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i mori leje dhe me makinën e tij e transportoi deri në familjen e saj në Fier. Në oborrin e seksionit të grave në burgun 325 takojmë edhe nënë Feridenë, e cila na tregon se si mori dijeni për lajmin e lirimit nga burgu, si e përjetoi, përse nuk shkoi që dje në shtëpi pranë familjes dhe kush e pret sot për ta çuar në Fier. Përgjatë një interviste të shkurtër që dha për gazetën, Feride Bako i bën një kërkesë kryebashkiakut Rama: “Të lutem më ço nesër në shtëpi!”. Si mësove se Presidenti të kishte përfshirë në listën e faljes? Nga televizori. Gratë më thanë që Presidenti Topi më kishte falur vitet e burgut dhe mund të kthehesha pranë dy nipërve të mi jetimë. Si e përjetove këtë moment? Më ra të fikët. Gratë më hodhën ujë për të më përmendur. Nuk arrija ta besoja. Kush të pret në shtëpi? Dy nipërit e mi jetimë (i mbushen sytë me lot dhe i fshin me shaminë që vë në kokë). Kush do të çojë nesër (sot) në shtëpi? Kush të pret jashtë portës së burgut? Askush nuk më pret. Shpresoj që të më çojë Edi Rama në shtëpi, si ato ditë që më çoi me leje. Madje, i lutem Edi Ramës të më çojë nesër në shtëpi te dy nipërit e mi. I bëj thirrje Edi Ramës të më ndihmojë. I thoni që nënë Ferideja të jep uratën. Malaj: Pashë ëndërr sikur më kapën djalin me hashash, mora vesh që do lirohesha “Pashë në ëndërr sikur më kishin kapur djalin me hashash. Policia po e ndiqte. Ai me makinë iu drejtua detit dhe u fut në brendësi. Policia erdhi me vinç dhe e ngriti makinën. O zot sa pata frikë për tim bir, kisha frikë se ishte mbytur. Pastaj hapa sytë dhe pashë që ishte ëndërr. U gëzova që ishte ëndërr, por u ligështova se kisha frikë mos merrja ndonjë lajm të keq nga shtëpia. Kur, një nga gratë më tha që Presidenti kishte bërë falje. U gëzova, por nuk dija gjë për emrin tim. Erdhi shefe Moza dhe më tha që emri im ishte ndër gratë e liruara”. E nisi me përshkrimin e një ëndrre dhe më pas mënyrën se si mori lajmin. Gëzimi është i papërshkrueshëm për të, sytë i ka të mbushur me lot gëzimi. Bëhet fjalë për të dënuarën Floresha Malaj nga fshati Brataj i Vlorës, e dënuar për kultivim hashashi. Shprehet se nuk e besonte se ajo ëndërr do i dilte kaq për mirë, ndërkohë që kishin humbur çdo shpresë për falje apo ulje dënimi. Megjithatë, Floresha ka një merak, si do e përballojë mentalitetin e fshatit ku jeton tani pas daljes nga burgu. Por, siç edhe shprehet ajo, e rëndësishme është që do jetë pranë familjes. Atë pak hashash që kultivoi e kishte mbjellë vetëm për të siguruar një thes miell jo për trafiqe e të tjera. “Jemi shumë të varfër”, - shprehet ajo. Megjithatë, gruaja nga Vlora, mjaft e lumtur për këtë mrekulli që i ndodhi dje, falënderon kreun e shtetit dhe uron të ketë të tjera falje për gratë që janë vetëm me pak vite burg apo që nuk i ka kapur falja asnjëherë. Breçani: E lumtur, që më fali Presidenti E bukur, e zgjuar, por e pafat për atë që i ka ndodhur në moshë fare të re. Megjithatë, shpresat për një të ardhme më të mirë nuk i ka të shuara. Është ende mjaft e re. Një e mirë i ka ardhur të paktën për momentin. Sot lirohet nga burgu. Mund të kishte dalë që dje dhe të nisej drejt Tropojës, por dekreti doli vonë dhe ajo nuk pati mundësi të lajmëronte familjen. Tashmë njoftimin e ka bërë dhe do rrijë edhe një ditë më tepër me shoqet. Është Aurora që takojmë të parën sapo hyjmë në portën e seksionit të grave në burgun 325. Me sytë e përlotur, Aurora shprehet: “Jam shumë e lumtur që Presidenti më fali. Kisha dërguar një kërkesë dhe më lumturoi fakti që e ka lexuar dhe më përfshiu edhe mua në listë”. Të dënuarat: Shpresë te ligji i dënimeve alternative Të mërzitura që nuk u përfshinë në listën e faljeve nga Presidenti, gratë shprehen se kanë ende një shpresë. Bëhet fjalë për ligjin e ri, atë të dënimeve alternative. Mjaft kurioze për ditën kur do nisë aplikimi, kush do të përfitojë, cilat janë kriteret për t’u përfshirë në Shërbimin e Provës. “Kemi shpresë që të na përfshijnë te lista e të dënuarve që përfitojnë nga dënimet alternative. Na kanë thënë që kush ka dy vjet e poshtë do përfitojë. Kjo na ngroh, sepse falja e bërë nga Presidenti Topi na zhgënjeu. Menduam se me hyrjen në NATO do bëhej më zemërgjerë, por nuk ndodhi kështu”, - shprehen të dënuarat e burgut 325.