E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me armë në klasë 14-vjeçari

Autori kishte siguruar një pistoletë artizanale, së cilës nuk i ka hequr të gjithë plumbat duke e shkrepur mbi shokun

Policia ka ndaluar autorin e ngjarjes, i cili u kap mbrëmjen e djeshme, pasi ishte larguar menjëherë nga shkolla

LEZHË - Një nxënës i klasës së tetë në shkollën "Kosova" është plagosur me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij brenda në ambjentet e shkollës.

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 10:30, 14-vjeçari me iniciale M.M. është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, shoku që e plagosi u ndalua pasditen e djeshme, ndërsa burime të policisë u shprehën se në momentin që kishte parë uniformat blu ai kishte tentuar të largohej e njëkohësisht ishte shumë i traumatizuar.


Ngjarja


Incidenti ndodhi në klasën VIII B të shkollës "Kosova". Sipas informacioneve të grumbulluara, 2 shokët e klasës qëndronin gjithnjë bashkë dhe kishin një marrëdhënie të mirë mes tyre.

Sipas dëshmisë së nxënësve, M.M dhe M.R kishin pritur përfundimin e orës së tretë, moment edhe kur fillon pushimi i madh dhe kanë qëndruar në klasë, ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tyre kanë dalë jashtë. 14-vjeçari M.R kishte arritur të siguronte një pistoletë artizanale dhe brenda saj kishte 3 fishekë.

Ai ka mundur të heqë nga arma 2 prej fishekëve, ndërsa nuk ka kuptuar që në të ndodhej edhe një fishek tjetër.

Në këtë moment, gjatë përdorimit të saj, arma është shkrehur duke kapur në bel 14-vjeçarin tjetër. I terrorizuar për sa ndodhi, autori ka dalë nga ambientet e shkollës dhe është larguar. I plagosuri ka qëndruar për pak minuta në këmbë, ndërsa është ndihmuar nga shokët dhe dy mësues të cilët kanë shkuar në ndihmë të tij.


Hetimet


Ekspertë të policisë të mbërritur si në vendngjarje, ashtu edhe në spitalin rajonal të Lezhës kanë nisur hetimet për këtë incident. Në pyetje janë marrë mësues dhe nxënës. Hetimet e policisë janë përqendruar kryesisht tek fakti sesi ka mundur autori të ketë një armë të tillë dhe burimi nga ai e ka marrë këtë armë.


Deklarimet


Drejtoresha e shkollës ku ndodhi plagosja e 14-vjeçarit, Zana Brahimi, ka shpjeguar se kjo ngjarje ishte diçka e rëndë dhe se gjithçka ka ndodhur në mënyrë të papritur. Sipas saj, stafi drejtues i shkollës në pushimin e madh po organizonte një takim punë për klasat e 9-ta dhe janë lajmëruar për incidentin nga mësuesi dezhurn.

Në lidhje me ndonjë informacion nga mësuesit apo vetë nxënësit që ankoheshin për posedim të armëve nga nxënës të kësaj shkolle, drejtoresha Brahimi ka deklaruar se në mënyrë absolute kjo shkollë nuk ka pasur probleme të tilla dhe se gjithçka është vetëm një rastësi.

Policia: S'kemi raste armësh në shkolla


Elona Nika, zëdhënëse për shtyp e policisë së Lezhës, shprehet se incidenti ka qenë rastësi. Pyetjes sesi është e mundur që një nxënës i një shkolle 9-vjeçare arrin të futet në klasë me një armë, Nika i është përgjigjur se në asnjë rast policia nuk vepron pa pasur më parë informacion për diçka të tillë.

Sipas saj, nga takimet e zhvilluara deri më tani me drejtues shkollash, nuk është deklaruar se nxënës të tyre zotërojnë armë e për më tepër nëse këto armë merren me vete në orën e mësimit.

Përsa i përket sigurisë në ambientet shkollore, zëdhënësja e policisë ka deklaruar se ka një plan masash veprimi dhe është bashkëpunuar ndjeshëm me drejtorinë rajonale të arsimit.

Frika


Shokët e klasës së dy 14-vjeçarëve kanë deklaruar se ndihen të frikësuar nga ajo çfarë ndodhi në shkollën e për më tepër në klasën e tyre, duke kërkuar më shumë mbrojtje të ambienteve shkollore.

Ata u shprehën se nuk e kanë parë ngjarjen. Edhe familjarët e nxënësve janë alarmuar pas lajmit të dhënë në lidhje me ngjarjen, duke kërkuar që të marrin fëmijët e tyre në shtëpi.

Ata kanë deklaruar se ndihen të pasigurt për fëmijët e tyre. Ngjarja e ndodhur ka ngritur edhe njëherë nevojën për rritjen e sigurisë në ambjentet e shkollave.

Në shkollën ku ndodhi incidenti, ndodhen edhe 3 shkolla të tjera dhe një konvikt nxënësish, ndërsa nuk ka asnjë element sigurie në to. Në të katër anët ajo është e hapur dhe çdo njeri mund të hyjë dhe të dalë lirisht pa u shqetësuar nga askush.

Një tjetër problem mbetet edhe ai se shumë mësues i nxjerrin nga ora e mësimit fëmijët të cilët janë të zhurmshëm dhe nuk mbahet asnjë përgjegjësi për fatin e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›