Të sëmurët mendorë, një vakt bukë në ditë
Të sëmurët mendorë që kurohen në spitalet psikiatrike, trajtohen me më pak se një vakt bukë në ditë. Ata trajtohen me një normë ushqimore të miratuar në vitit 1998, por që nuk është ripërtërirë.
Ky konstatim është bërë nga Avokati i Popullit pas kontakteve që kanë patur ekspertët e me drejtuesit e spitaleve psikiatrike në vend, ku vihet re se të sëmurët mendorë trajtohem me vetëm 257 lekë ushqim në ditë.
Për këtë shkak, Avokati i Popullit, ka kërkuar rritjen e normës ushqimore, por Ministria e Financava, është përgjigjur se për këtë vit, nuk ka fonde për këtë problem, ndërsa kjo kategori duhet të trajtohet, me një vakt bukë në ditë.
Kjo kuotë ushqimore sipas ekspertëve, është tepër e pamjaftueshme për shkak të rritjes së ndjeshme që kanë pësuar çmimet e tregut ushqimor dhe inflacionit të pësuar në këto 12 vite. Ndërkaq, sipas normativave ushqimore të vitit 1998, për këtë kategori dhe që janë ende në fuqi, çdo i sëmurë mendor përfiton një fond ditor prej 257 lekësh.
Zbatimi i kësaj norme ka bërë që për të sëmurët mendorë, është reduktuar vetëm në katër numri i produkteve ushqimore duke ulur pothuaj me 60% kalorazhin ditor të të sëmurëve.
Kështu të sëmurët mendore janë të detyruar të konsumojnë vetëm bukë, kos, pak mish e djathë, nga 11 asortimente ushqimore që duhet të konsumojnë, duke mos plotësuar normën ushqimore që është më e veçantë për të sëmurët mendore. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar normën e re ushqimore për të sëmurët mendore, akoma nuk është zbatuar për shkak të mungesës së fondeve. Kuota e re ushqimore për të sëmurët mendorë është llogaritur në 458 lekë në ditë për çdo të sëmurë.
Sipas ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo kuotë është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat ushqimore të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet psikike.Por shuma e propozuar, edhe pse e mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, nuk ka gjetur përkrahje nga Ministria e Financave për mungesë fondesh.
Sipas Avokatit të Popullit, Ministria e Financave pretendon që kjo normë ushqimore mund të zbatohet vetëm në vitin 2010 dhe të sëmurët mendorë edhe gjatë vitit 2009 do trajtohen me normën e vjetër të vitit 1998. Në raportin e Dobjanit, për këtë problem thuhet se nuk mund të ketë justifikime për mungesë fondesh, në kushtet kur plotësimi i normës ushqimore është jetik për të sëmurët e spitaleve psikiatrike.
Duke marrë shkak nga kjo gjendje i është rekomanduar ministrit të Financave, Ridvan Bode, akordimi i menjëhershëm i një fondi financiar për rritjen e kuotës ushqimore për të sëmurët mendore që trajtohen në spitalet psikiatrike. Vetë spitalet psikiatrike e kanë ngritur këtë shqetësim dhe në dikasterin e Shëndetësisë, ku kjo e fundit ngriti një komision të veçantë për përcaktimin e normës ushqimore.
Janë rreth 600 të sëmurë mendore që trajtohen në spitalet psikiatrike të vendit që preken nga mosrespektimi i normës ushqimore. Avokati i Popullit dhe me atributet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka ngritur vazhdimisht problematikën që shqetësojnë spitalet që trajtojnë të sëmurët mendore duke kërkuar ndërhyrjen urgjentë për përmirësimin e kushteve të jetesës brenda këtyre spitalëve.
Të sëmurët, pa trajtim mjekësor
Vetëm pak ditë më parë, Avokati i Popullit ka rekomanduar që të ndërhyhet në spitalet psikiatrike në vend për sigurinë e jetës së pacientëve dhe stafit mjekësor.
Duke u nisur dhe nga ngjarjet e dhunshme që kanë ndodhur brenda spitaleve psikiatrike ku janë shënuar dhe viktima mes të sëmurëve, Avokati i Popullit Ermir Dobjani ka rekomanduar që ne spitalet psikiatrike të instalohet një sistem mbikëqyrje me kamera të ambienteve të spitaleve, si dhe të dhomave monitoruese.
Për ekspertët e Avokatit të Popullit kjo duhet të bëhet, që të sinjalizohen në kohë ngjarjet e dhunshme që mund të ndodhin në ambientet e spitaleve.
Gjithashtu Dobjani kërkon që të shtohet dhe personeli mjekësor që shërben në spitalet psikiatrike për të mos vënë në rrezik jetën e këtij personeli nga vetë të sëmurët mendorë, për faktin se ky numër sot është i pamjaftueshëm.