E Diel, 1 Nëntor 2026

Me ligje të Kosovës apo me rregullore të UNMIK-ut?



Nga Shkumbin Demaliaj*

Ligji për punën, megjithëse është sjellë për miratim me vonesë në Kuvend, ndërkaq vonesat për këtë ligj nuk janë dhënë nga sponsorizuesi i këtij ligji, as nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale e as nga qeveria. Mungesa e ligjit për punën ka reflektuar defektet në kuadër të strategjisë legjislative edhe të qeverisë, edhe të Kuvendit. Në fakt ne e kemi pasur edhe më herët në Kuvend këtë ligj, por ai është kthyer prapa. Atëherë kemi pasur një arsye të paqëndrueshme nga qeveria. Është përmendur kostoja e papërballueshme e këtij ligji. Tash, qeveria e Kosovës merr vendime të veta, vendime nganjëherë politike, që rëndojnë situatën kushtimisht në të gjithë resorët në Kosovë, por një gjë ende nuk është sqaruar: Cili është organ më vendimmarrës në Kosovë sot: a është UNMIK-u apo qeveria? Sot qeveria nuk e ka të zgjidhur problemin me ligjet e veta. Sot ende funksionojnë rregulloret të UNMIK-ut, ndërkohë që mungon ligji për qeverinë në Kosovë?! Pastaj Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27 për ligjin e punës në Kosovë i rregullon të gjitha çështjet, mirëpo është Rregullore e UNMIK-ut. Pra, edhe tash kur Kosova është shtet i pavarur, institucionet e Kosovës, në radhë të parë qeveria, zbaton rregulloret e UNMIK-ut e jo dokumentet legjislative të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i rregullores në fjalë të UNMIK-ut vetëm e pengon mundësinë e të hyrave në arkën shtetërore, duke përkufizuar, sepse te neni 24 i kësaj rregulloreje me dispozitat që janë në fuqi, pengon shumë punën e Inspektoratit të Punës për të kryer implementimin e punës që e obligon vetë ligji për Inspektoratin dhe ligji për siguri në punë. Kështu që është e drejtë e rezervuar e PSSP-së që ai të nxjerrë një urdhëresë administrative për mundësinë e lejimit të gjobave në procesin e punës dhe të punësimit atëherë kur bëhen shkeljet ligjore. Do të thotë, kjo është vetëm një pengesë që dikush sot të ushtrojë veprimtari ilegale edhe në procesin e punës i kontrolluar nga dikush. Do të thotë, në qoftë se nuk është e gatshme qeveria ta ofrojë edhe një herë atë ligj, ne si grup parlamentar jemi të gatshëm që ta sjellim një projektligj, por atëherë kërkojmë mbështetjen e të gjithë deputetëve ta aprovojmë, sepse nuk ka aq kosto të madhe financiare, por është pengesë për arkën shtetërore të Kosovës. Kështu që kësaj i mungon edhe një harmonizim, sepse qeveria në kuadër të ligjit për siguri në punë ende nuk ka themeluar këshillin nacional të sigurisë në punë, që është e përcaktuar me ligj që të mund të harmonizohet ky legjislacion me ligjin bazik.

Kështu, regjistrimi i bizneseve në Kosovë, me një rregullore apo me një vendim të OSBE-së, në fillim të fillimit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse, me atë vendim ka qenë që nëpërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë stimulimi i bizneseve të bëhet edhe të regjistrohet me një vlerë prej 5 eurosh, për të mundësuar regjistrimin e këtyre bizneseve.

Sot ka me qindra biznese kineze vetëm në Prishtinë që nuk mund t’i monitorojë askush.

Kemi edhe martesa, do të thotë, martesa false në Kosovë, të cilat bëhen vetëm për t’ua mundësuar këtyre të huajve që të punësohen në Kosovë edhe nuk kanë mbikëqyrje nga askush.

Prandaj unë e përkrah këtë projektligj, sepse është i tanishëm, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Por ne duhet të kemi një qëndrim të qartë dhe në radhë të parë, këtë qartësi duhet të bëjë vetë qeveria e Kosovës. Pra, që të mos zbatojë rregulloret e UNMIK-ut, por ligjet e Kosovës. Por unë kam frikë se qeveria po luan me dy kute: kur i duhen rregulloret e UNMIK-ut, punon me to dhe fajin ia lë EULEX-it; kur i duhen ligjet e Kosovës, i fut ato në fuqi ligjet e veta. Prandaj ligji i punës na duhet, sepse po ndërtojmë shtetin e ri të Kosovës.

*Deputet i AKR-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›