E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferizaj, 121 raste të martesave me të huaj

Sipas statistikave të prezantuara nga sektori i gjendjes civile rezulton se në komunën e Ferizajt gjatë viti të kaluar janë shënuar 121 lidhje martesore me element të huaj.

Zyrtarë të këtij shërbim thonë se në këto lidhje martesore, elementi i huaj pothuajse kryesisht ka qenë shqiptar, por që ka bartë shtetësinë e ndonjë shteti tjetër.

Latif Berisha, shef i sektorit të gjendjes civile në administratën komunale, shpjegon se nga ky numër në 68 raste elementi i huaj është i gjinisë mashkullore dhe në 53 raste elementi i huaj është i gjinisë femërore.

“Gati në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me shtetas të huaj, por që elementi i huaj në këtë rast është shqiptar, dhe bartë shtetësinë e ndonjë shteti tjetër si të Gjermanisë, Zvicrës, Anglisë ose të ndonjë shteti tjetër që në aspektin juridik cilësohet si element i huaj”, tha Berisha.

Mësohet se te këto lidhje martesore edhe procedurat dallojnë. Zyrtarët thonë se personat që vendosin të lidhin kurorën me elementin e huaj duhet të sjellin kapacitetin martesor nga shteti ku ata jetojnë, por edhe dokumentet tjera përcjellëse.

Ndryshe, sipas raporteve zyrtare nga ky sektor del se gjatë vitit të kaluar, janë lidhur 1211 kurora martesore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›