E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e dheut: 20 akse nacionale të bllokuara

Rrëshqitjet e dheut dhe shembjet masive kanë sjellë probleme në të gjithë vendin. Akse rrugore të ndryshme nga jugu në veri janë bllokuar totalisht ose pjesërisht. Nga ana e Ministrisë së Transporteve bëhet e ditur se shkak për këtë kanë qenë reshjet e shumta të shiut dhe të dëborës, duke i cilësuar bllokimet të përkohshme.


Ndërkohë, burimet zyrtare shprehen se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunin me drejtoritë rajonale në qarqe dhe firmat kontraktore për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve janë në gatishmëri të plotë me njerëz dhe mjete për zgjidhjen e situatës.


Rezultojnë se janë të bllokuara totalisht katër akse nacionale rrugore, ndërkohë që pjesërisht të bllokuara, me kalim vetëm në njërin kah janë 16 akse nacionale. Shkak për to ka qenë cedimi i rrugës, pasojë e rrëshqitjeve të dheut, si dhe shembjeve masive.
Janë të bllokuara akset:


Pukë - Fushë-Arrës, në kilometrin e dytë në dalje të qytetit është shembur trupi i rrugës në një gjatësi rreth 40 ml, kjo ka sjellë bllokimin e këtij aksi.
Qafë - Mali - Fierzë, në fshatin Porovë dhe Fierzë rruga është e bllokuar si pasojë e shembjeve masive të dherave


Në aksin Lozhan - Moglicë të Korçës si rezultat i shembjeve masive është dëmtuar ura, për pasojë rruga në këtë pjesë është e bllokuar.
Në aksin Librazhd -Peshkopi nga Dregalica - Steblevë është i pakalueshëm si pasojë e reshjeve të dëborës.


Janë të kalueshme akset e mëposhtme:
Në aksin Burrel-Klos (Çezma e Dungut), rruga është me një kalim
Unaza e Bulqizës është e përmbytur dhe trafiku është devijuar përmes qytetit
Rruga Shëngjin - Kune është e bllokuar nga uji, qarkullimi kryhet nga rrugët anësore
Aksi Fushë-Arrëz- Iballë, lumi ka gërryer shtratin e rrugës pranë fshatit Kryezi. Rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla
Aksi rrugor Gjirokastër-Tepelenë ka rrëshqitje të mëdha, rruga është e kalueshme me një kalim


Në aksin Tepelenë - Këlcyrë - Çarshovë ka tre shkarje, qarkullimi kryhet me një kalim.
Tepelenë - Memaliaj, në Runaj, rruga është e kalueshme me një kalim
Në aksin Vlorë-Orikum, në Jonufër kilometri i nëntë, ka një çedim të trupit të rrugës dhe shkarje dherash, rruga është me një kalim


Aksi rrugor Sarandë - Qafë-Muzinë, në Shtreg, qarkullimi kryhet me një kalim
Vlorë-Selenicë, te vendi i quajtur Bishti i Malit qarkullimi kryhet me vështirësi me një kalim
Në aksin Vlorë -Tepelenë nga Qafë-Dushku deri në Qafë-Dorëz ka rënie gurësh dhe inertesh dhe copëtim të rrugës në disa vende, qarkullimi kryhet me një kalim
Në aksin rrugor Vlorë-Borsh, në dalje të Borshit dhe Piqerasit ka çedim të trupit të rrugës.


Është vendosur sinjalistika, rruga është me një kalim në zonën e Dukatit
Në aksin Fier - Fratar në vendin e quajtur Qafë-Lalaj ka pasur rrëshqitje dheu, qarkullimi me një kalim. Gjithashtu, po në këtë aks në Greshnicë rruga është me një kalim


Poliçan- Çorovodë: si pasojë e rrëshqitjeve pranë fshatit Rripi i Strorës qarkullimi kryhet me një kalim
Në hyrje të Çorovodës vazhdon të jetë e aktivizuar një rrëshqitje e disa ditëve më parë dhe rruga është hapur vetëm me një kalim
Në aksin Kakome- Qafë-Dërras ka shkarje të dherave e për pasojë qarkullimi kryhet me një kalim
Në dalje të autostradës Lushnjë -Fier rruga është e përmbytur për shkak të reshjeve të shumta, qarkullimi kryhet nëpërmjet devijimit nga rruga e vjetër

Reshjet e shiut bllokojnë Durrësin


DURRËS - Reshjet e shiut që kanë rënë përgjatë natës dhe mëngjesin e djeshëm kanë shkaktuar probleme në qytetin e Durrësit. Ujërat e tepërta të shiut i kanë bërë rrugët të vështira duke shkaktuar një kaos në qarkullimin e automjeteve jo vetëm në periferi, por edhe në rrugët qendrore të qytetit.


Zonat më problematike janë në hyrje të qytetit bregdetar, pranë stacionit hekurudhor, në shëtitoren "Taulantia" dhe në lagjet periferike të qytetit, kryesisht lagjet 17-të e 18-të. Shkak për përmbytjen në këto rrugë është sistemi i amortizuar i kanalizimeve kryesore dhe i ndërtimeve mbi kolektor, që nuk lejojnë shkarkimin e ujërave të tepërta, pasi janë ngushtuar shumë seksionet e tyre, si dhe janë hedhur mbeturina inerte në to.


Në gjendjen në të cilën janë kanalizimet, nuk kanë mundur të përballojnë sasinë e madhe të ujërave sipërfaqësore të krijuara nga reshjet e dendura. Përveç dendësisë së reshjeve të shiut, situata është rënduar dhe nga hidrovori, që ka punuar me kapacitet të pjesshëm gjatë natës për shkak të ndërprerjes së energjisë. Në orët e mëngjesit është ndërhyrë për zhbllokimin e situatës dhe pas disa orësh në qytet situata është normalizuar.


Sipas prefektit të qarkut, është ndërhyrë edhe në zonat e rrëshqitshme në Kodër Vilë, si dhe në zonën e Currilave ku dherat e rëna kanë rrezikuar banesa dhe kanë dëmtuar rrugëkalimet. Prefekti Alizoti thotë se në fokusin e situatës emergjente mbesin 2 shtëpi që rrezikohen si dhe 2 diga rezervuaresh në të cilët janë konstatuar çarje të vogla. Bëhet fjalë për një banesë në Krujë dhe një në Maminas.


Në komunën e Rrashbullit janë mobilizuar specialistët për të eliminuar çarjet që janë konstatuar ne digën e rezervuarit të Romanatit. Sipas Alizotit, në të janë konstatuar çarje të vogla, ndërsa në rezervuarin e Kamberasit ka pasur probleme nga mbingarkesa.


Lidhur me ndërhyrjet e paligjshme në kolektorë e zona të rrezikuara, Alizoti thotë se javën e ardhshme, sipas një plani të detajuar që është bërë për verifikim, do të fillojnë edhe ndërhyrjet në pikat më problematike, duke eliminuar ato ndërtime që përbëjnë rrezik.

************************

RESHJET/ Hapja e portave të të tre hidrocentraleve ka vënë qytetin verior në gjendje gatishtmërie


SHKODËR - Shtimi i reshjeve të shiut të cilat nuk janë ndërprerë asnjë moment në rrethin e Shkodrës ka vështirësuar situatën në zonën e Nënshkodrës, ku mund të thuhet se përmbytjet e fillimvitit janë rikthyer, edhe pse deri tani në përmasa disi më të vogla. Hapja e tunelit shkarkues të hidrocentralit të Vaut të Dejës që nga e diela ka sjellë shkarkime ujërash që kanë përfshirë fushat e Nënshkodrës.


Në komunën e Dajçit, rruga hyrëse nuk është e kalueshme, vetëm me mjete të rënda. Në fshatin Ashtë të komunës Bushat vazhdon erozioni i tokës duke bërë që uji të afrohet tek banesa. Dhjetë shtëpi që janë të rrezikuara në këtë fshat janë lajmëruar të evakuohen, por banorët shprehen se nuk kanë pranuar. Mjete të ushtrisë po vazhdojnë të thyejnë bunkierë dhe t'i hedhin në shtratin e lumit Drin për të penguar erozionin.


Banorët, të pashpresë


Ndërsa reshjet vazhdojnë pa u ndërprerë, situata ka përkeqësim dhe banorët shprehen se nuk dinë më çfarë të bëjnë. "Në rast se do të vijë uji krejt afër edhe do largohemi, por momentalisht do qëndrojmë këtu sepse është mundi i gjithë jetës. U tha se hidrocentrali disiplinon ujin, por ne po na mbyt hidrocentrali.


Nuk dimë çfarë të bëjmë. Na kanë sjellë çadër, por ku me shku? Këtu kemi gjithçka", thotë Frederik Kola nga fshati Ashtë. Ndërsa Kolë Pjetri shton se "nuk kemi më besim as tek qeveria, as tek askush. Duhej që këto masa të ishin marrë më pare, dhe jo tani që uji nuk pyet".


Prej katër ditësh forca të ushtrisë çajnë bunkierët e dikurshëm dhe i hedhin në lumë me qëllim pengimin e gërryerjes së tokës prej tij. "Ushtria po punon, komuna po bën çfarë mundet, por uji nuk pyet. Më ka marrë 50 metër tokë dhe është afruar tek shtëpia. Nuk është se po hyn në shtëpi si herët e tjera, por po na i shemb, se edhe tokën e ka gjetur të butë.


Muret kanë nisur të plasen. Natën ruajmë me radhë se mos po na e shemb shtëpinë e na zë brenda", thotë një tjetër banor i Ashtës. Sipas kryetarit të komunës Bushat, Zef Hila, "ka një përkeqësim të situatës dhe banorët akoma nuk janë evakuuar edhe pse iu është kërkuar kjo gjë. Ne u kemi dhënë çadra, por ata kanë të afërm të tyre në fshat".
Basha: Situatë, e rëndë si në janar


Në zonën e Darragjatit argjinatura paraqitet problematike dhe uji tashmë ka hyrë në banesa. Sipas banorëve, argjinatura vazhdon të jetë problematike dhe është sjellë vetëm një makinë me rërë e disa thasë dhe asgjë nuk është bërë për riparimin e saj që nga muaji janar. Vetëm natën e kaluar uji është shtuar me 15-20 cm, thonë banorët e Darragjatit, ndërsa shtojnë se nuk kanë ku të largohen.


"Ne kemi mbaruar plotësisht tani. Nuk më shkon ndër mend të largohem. Kam qëndruar dy javë në janar në Mali Hebe bashkë me familjen e bagëtitë tek një mik, por dhe atje ai është ngushtë. Kështu do të qëndroj këtu. Kjo është një katastrofë", shprehet një banor i Darragjatit.


Ministri Basha duke parë situatën në këtë zonë i është drejtuar banorëve të këtij fshati duke u kërkuar të evakuohen.


"Bora ka shkrirë, prurjet janë shumë të larta, që do të thotë se do të vazhdojnë shkarkimet. Lumi Kir dhe lumi Gjadër janë më të fryrë se në janar dhe duhen marrë masa të largohen pleq, gra e fëmijë, si herën e parë. Bagëtitë të nxirren në Bërdicë, pasi atje është vendi ku do grumbullohen.


Kashta e koncentrati do të vijnë atje dhe janë vetëm për ju, pasi Berdica momentalisht nuk ka probleme. Shpresojmë që kjo situatë të mos vazhdojë sa në janar, por e rëndë është si në janar. Këtu keni policinë, FNSH-në dhe një togë ushtarësh", u tha Basha banorëve të Darragjatit.


Në komunën e Dajçit, ku rruga hyrëse është mbuluar nga uji, nga ndërrmarrja e rrugëve po vihet sinjalistika përkatëse, shiritë anësorë për të orientuar lëvizjen e mjeteve. Duke qenë se rruga është plot me ujë, mjetet kanë mundësi të dalin nga rruga siç dhe ka ndodhur në janar, ku shiritat tregues mungonin. Këtë herë ato janë vendosur në të gjithë gjatësinë e aksit.


Mbyllen shkollat


Situata ka sjellë dhe mbylljen e shkollave në fshatin Obot të komunës Ana e Malit, shkollë aneks me 16 nxënës, shkolla 9-vjeçare në fshatin Kuç të komunës Gur i Zi , shkolla 9-vjeçare në fshatin Shirq dhe aneksi i saj në Darragjat, si dhe në shkollën e fshatit Grazdë e Re, ku si pasojë e reshjeve të shumta ka shpërthyer kanali pranë shkollës duke e përmbytur oborrin e saj, duke bërë të pamundur futjen e nxënësve në shkollë.


Sipas shtabit të emergjencave civile, në 24 orët e ardhshme do të mbyllen shkollat në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, Lagjet Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, deri në një urdhër të dytë, si dhe vënia në dispozicion të evakuarve të njërit nga konviktet e shkollave të mesme profesionale, atij të shkollës teknike "Arben Broci", një kat i të cilit është liruar për evakuime të mundshme.


Mblidhet shtabi i emergjencave


Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mblodhi të mërkurën në Shkodër Komisionin e Emergjencave Civile për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet e shiut që vijojnë pa ndërprerje që prej 23 ditësh. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tri javëve ka rënë mbi 600 milimetra shi dhe vetëm 12 orët e fundit ka rënë 70 milimetra shi. Shkarkimet nga HEC-i i Vaut të Dejës janë 1300 m3/s. Prurjet nga lumi Kir janë 800 m3/s, nga lumi Gjadër rreth 200 m3/s.


Niveli i hidrometrit të Dajçit është 6,55 m, ndërsa i Urës së Bunës 8,55 m.
Por kjo situatë është rënduar dhe në drejtim të zonave të tjera, të cilat nuk u prekën nga shkarkimet e përmbytjet e janarit të këtij viti.


Kështu, rezervuari i Shtodrit në komunën Postribë është i mbushur me kapacitet të plotë dhe për këtë shkak nga Drejtoria e Bordit të Kullimit ka filluar të lëshohet ujë nga portat fundore dhe katastrofike të këtij rezervuari. Kjo situatë ka krijuar probleme në lagjet periferike të qytetit Shkodër, si në Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, lagjja "Mark Lulaj".


Po kështu, probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të komunës Ana e Malit, si dhe në Dajç. Struktura të policisë dhe ushtrisë të ridislokuara në Shkodër janë përforcuar me forca e mjete të tjera të strukturave mbështetëse të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.


Në zonën e Dajçit ministri Basha ka bërë thirrje për evakuim të komunitetit. Ndër masat e marra nga shtabi i emergjencës janë dhe vënia në dispozicion të situatës së krijuar të 20 varkave me motor, 2 fadromave, 2 ekskavatorëve dhe 8 mjeteve vetëshkarkuese.


Sipas Bashës, po bëhet identifikimi i zonave emergjente dhe masat për evakuim të banorëve, si dhe po punohet për të riparuar dhe mbajtur në funksion argjinaturat aty ku ato paraqesin rrezik. Janë marrë masa për ngritjen e 3 kampingjeve për njerëzit dhe bagëtitë në fshatrat Pentar e Suka të komunës Dajç dhe në Bërdicë.


Në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë do të vihen në dispozicion 2 varka në komunën Dajç, 2 varka në fshatin Obot të komunës Ana e Malit për llogari edhe të transportit edhe nga komuna Dajç, 1 varkë tek Ujësjellësi i Trushit, 1 varkë në komunën Velipojë, 1 varkë në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi, 1 varkë në lagjen Ajasëm, 1 varkë në zonën e bregliqenit (Livadhe) të Bashkisë Shkodër, ndërsa varkat e tjera do të vihen në dispozicion të komitetit të emergjencave civile në varësi të precipitimit të situatës aktuale dhe të pritshme të shkaktuar nga reshjet.


************************

Berisha: Të ringrihet Komiteti i Emergjencës


Këshilli i Ministrave vendosi dje ringritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për të menaxhuar situatën në zonën e Shkodrës. Duke e konsideruar situatën emergjente, Kryeministri tha se Komiteti i Emergjencës do të fillojë nga funksionimi menjëherë. "Sërish kemi një situatë emergjente.


Mbrëmë prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Të jashtëzakonshme kanë qenë prurjet e lumenjve të Alpeve, si dhe ka një rritje të ndjeshme të Kirit dhe Gjadrit. Ndaj, për t'u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot (dje)".


Berisha tha se në zonë ndodhen dhe po shqyrtojnë situatën ministri i Brendshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe komandantë të forcave të tjera. Ai kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për kapërcimin e kësaj situate me dëmet më minimale të mundshme.


Hapen gjatë pasdites portat e liqenit të Fierzës
Pavarësisht deklaratës së ministrit të Energjitikës dje për moshapjen e portave të Fierzës, një veprim i tillë u bë gjatë pasdites.


Ministri Dritan Prifti tha se nuk kishte "asnjë lloj rreziku për kaskadën tonë dhe vend për asnjë lloj paniku, përveç faktit se zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës duhet të jetë e përgatitura nëse atje do të ketë përmbytje".


Ai u shpreh se nuk ishte marrë ende vendimi për të filluar shkarkimet pavarësisht se situata ishte përkeqësuar për shkak të reshjeve të mëdha dhe niveli i Fierzës kishte arritur në 293,14 m, prurjet janë 1650 m3/sek.


"Sekretariati teknik nuk ka vendosur për të pasur shkarkime në Fierzë edhe pse për shkak të rregullores niveli tashmë i lejuar i Fierzës është 296 m dhe në momentin kur prurjet në Fierzë kalojnë 1100 m3/sek, rregullorja lejon që niveli i Fierzës mund të jetë i tolerueshëm deri në 296 m. Brenda 24 orëve Fierza është rritur me 1,4 metër, ndërsa prurjet kanë qenë 1650 metër kub/sekondë", tha Prifti. Por pasditen e djeshme portat e Fierzës u hapën duke shkarkuar rreth 500 metër kub ujë/sekondë.

************

Përurohet nënstacioni i ri energjitik në Fier


FIER - Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës Dritan Prifti, i shoqëruar nga ambasadori spanjoll Manuel Montobi, si dhe kreu i CEZ-it kanë përuruar dje nënstacionin e ri energjitik në Fier.


Nënstacioni me vlerë prej 6,5 milionë eurosh është një investim me fonde koncensionale të qeverisë spanjolle. Pas përurimit ai kaloi si pranë OSSH-së. Nënstacioni është edhe faza e parë e një investimi për të ndërtuar rrjetin e ri energjitik për rajonin e Fierit.


Faza e parë përkon me ndërtimin e një nënstacioni energjitik në përbërje të të cilit do të jenë dy transformatorë me fuqi 40MVA. Nënstacioni është ndërtuar pranë mjediseve të termocentralit elektro-energjitik të Fierit.


Më parë është realizuar tenderi nga qeveria shqiptare dhe projekti është financuar nga kompania spanjolle "Iberdola". Financimi është bërë i mundur nga një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj spanjolle.


Punimet për ndërtimin e këtij nënstacioni të ri filluan në 2 janar të vitit 2008 dhe përfunduan në 2 korrik të vitit 2009. Pritet që brenda vitit 2010 të nisë faza e dytë e projektit, që parashikon ndërtimin e rrjetit kabllor.

Të dhënat e fundit zyrtare
Janë 3600 ha tokë të përmbytur
Bashkia Shkodër, 50 ha
Komuna Bushat, 1000 ha
Komuna Bërdica, 100 ha
Komuna Ana e Malit, 500 ha
Komuna Velipoja, 1100 ha
Komuna Gur i Zi, 100 ha
Komuna Dajçi, 700 ha
Komuna Rrethina, 50 ha

Reshjet, probleme në Devoll dhe në Gramsh


DEVOLL- Erozioni ka përfshirë prej pak javësh dhe digën e një rezervuari në rrethin e Devollit. Kanë qenë banorët e fshatit Koshnicë, të cilët kanë informuar Shtabin e Emergjencave Civile, ndërsa shtëpitë e tyre shumë pranë rezervuarit kërcënohen nga uji.


Rrëshkitjet masive kanë shkaktuar çarjen e digës ndërkohë që sipas specialistëve të Bordit të Kullimit dhe Shtabit të Emergjencave Civile në juglindje, rrezikohet që ujërat e rezervuarit të shkaktojnë përmbytje në disa mijëra hektarë toka bujqësore, por dhe në disa banesa.


Disa mjete të dërguara me urgjencë gjatë ditës së enjte e kanë pasur të pamundur të kryejnë punime në këtë zonë në mungesë të rrugëve, ndërsa rrëshqitjet që kanë nisur vite më parë, kanë avancuar më tej javën e fundit, duke shembur një pjesë të madhe të digës në një anë të saj.


Pas shkarjes së konstatuar në këtë zonë të thellë, janë marrë masa për hapjen e ujëlëshuesve për të lehtësuar nivelin e ujërave të rezervuarit pas mbushjes së tij nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës.


Një pjesë e ujit të rezervuarit është zbrazur në ujërat e lumit Devoll, ndërkohë që ndërmarja e Bordit të Kullimit nisur nga situata tejet alarmante ka kërkuar një fond për ndërhyrje në këtë digë.


Rrëshqitja po monitorohet nga institucionet pasi, sipas të dhënave, nga vërshimi i ujërave të rezervuarit rrezikohen disa banesa të fshatit dhe tokat bujqësore në afërsi të tij. Diga e rezervuarit më të madh pranë këtij fshati, sipas drejtorit të Bordit të Kullimit në Korçë, Pëllumb Tuxhari, ka pësuar çarje anësore dhe rrezikon shembjen.


Specialistët pas inspektimeve në terren kanë hartuar një raport të detajuar për Ministrinë e Bujqësisë mbi gjendjen edhe për të kërkuar fonde që të ndërhyhet për të shmangur rrezikun që sjell çarja e pjesshme e digës së rezervuarit të Koshnicës.


Rezervuari i Koshnicës në rrethin e Devollit ka një kapacitet ujëmbledhës prej 5 milionë metër kub. Sipas tij, dëmtimi i digës së këtij rezervuari është një problem i krijuar prej disa vitesh, por rreziku i shembjes vjen nga prurjet e mëdha të ujërave në këtë sezon dimri që kanë përkeqësuar situatën, ndërkohë që erozioni nga ana tjetër është duke krijuar një gjendje të rënduar.


Ajo që e bën më kritike situatën është mosndërhurja në këtë digë, ku shkarjet masive të dheut kanë rrezikuar dhe disa mjete ekskavatorë që janë dërguar në vend nga ndërmarja e Bordit të Kullimit në Korçës pas sinjalit të ardhur nga banorët e zonës, ndonëse sipas tyre gjendja ishte duke u mbajtur nën kontroll nga fillimi i stinës së dimrit.


GRAMSH


Edhe pse rruga ka qenë e bllokuar prej disa ditësh, duket se rreziku po bëhet edhe më i madh për fshatrat mbi digën e ish-hidrocentralit të Banjës, i cili është mbushur me ujë dhe sasia e shkarkimeve nuk i përballon prurjet.


Rruga prej disa ditësh mbetet e bllokuar për në qytetin e Gramshit dhe fshatrat për shkak të tejmbushjes së shtratit të lumit Devoll. Mjetet janë devijuar në rrugën e vjetër. Drejtori i i hidrocentralit të papërfunduar të Banjës, Julian Marku, tha se është e garantuar siguria pasi niveli aktual është 70 metra dhe poshtë kuotës së sigurisë.


Gjithsesi, niveli i lumit është në rritje të vazhdueshme për shkak të reshjeve të shiut. Marku tha se janë shtuar masat e sigurisë në kaskadën e Devollit dhe situata është nën kontroll. A.Çakshiri/ B.Nergjoni

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›