E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lindja e Diellit", verifikim pasurive të të arrestuarve

Prokuroria e Krimeve të Rënda, iu kërkon bankave të nivelit të dytë dhe oganeve shtetërore fiskale informacion mbi pasurinë e të akuzuarve


TIRANË- Të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pjesëtarë të "bandës" së trafikut të drogës, të shkatërruar mëngjesin e 19 shkurtit 2010 në operacionin ndërkombëtar të policisë të koduar me emrin "Lindja e Diellit" po i nënshtrohen verifikimit të pasurisë në bazë të ligjit "Antimafia".


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët theksuan se me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit për "Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar", çdo person i dyshuar si pjesëtar i "trafikut të drogës" do i nënshtrohet hetimit pasuror.


"Me arrestimin e pesë të dyshuarve, dy prej të cilëve ndodheshin në qelitë e vuajtjes së dënimit në burgun e Rrogozhinës dhe Peqinit pasi janë dënuar në 2007 për "trafik droge" dhe katër të tjerëve të shpallur në kërkim, prokuroria ka nisur verifikimin dhe hetimin e pasurisë së tyre të ngritur që nga fillim viti 2005"-thuhet nga prokuroria.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokurorët e çështjes Ened Nakuçi dhe Erviola Stoja i janë drejtuar me shkresa zyrtare të gjitha bankave të nivelit të dytë në vend dhe zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të kontrolluar pasurinë e tyre në vend.


"Pas arrestimit të tyre, prokuroria i ka kërkuar të gjithë institucioneve të verifikojnë pasuritë e personave të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në bazë të ligjit të ri për "Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar" apo i njohur ndryshe si ligji i "Antimafias".


Këto verifikime do të kryhen në emër të të dyshuarve dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes siç janë të parashikuara në ligjin "Antimafia""-thuhet nga burimet e prokurorisë. Këto burime konfirmuan gjithashtu, se prokuroria po kryen edhe hetimet për të evidentuar aktivitetet e tyre private në Shqipëri, pasi dyshohet se të hollat e trafikut të drogës i kanë investuar në bregdet.


Mësohet gjithashtu, se shumë shpejt prokuroria do t'i drejtohet gjykatës për sekuestrimin e pasurisë së ngritur pas 2005 nga të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim, pasi dyshohet se kjo pasuri është vendosur nga të ardhurat e trafikut.


Sipas prokurorisë, ndaj të dyshuarve të këtij rrjeti janë lëshuar urdhër arrestet më 25 janar 2010 ndërsa janë ekzekutuar më 19 shkurt gjatë operacionit ndërkombëtar ku u arrestuan edhe 28 persona të tjerë në Itali, Greqi e Belgjikë, si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës që kanë dërguar në Itali me gomone rreth 1.5 tonë hashash dhe 10 kg heroinë. Të arrestuarit në Shqipëri janë: Fatbardh Kapllanaj, Marglen Hallka, Daniel Likaj, Artur Demaj dhe Pilo Zanaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›