E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehoi të kërkuarin nga policia, arrestohet

Laç, 25 shkurt, NOA Strehoi dhe ndihmoi një person që kërkohej nga policia për ti shpëtuar kapjes, por ka rënë vetë në prangat e saj.

Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Bashkim Gjergjndreaj, banues në Fushë Mamurras, ndërsa i shpalluri në kërkim është 23-vjeçari Roland Mamli, banues në fshatin Zhejë të Kurbinit.

Lajmi konfirmohet nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilëve ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesave të dy personave me inicialet P. L. dhe N. L, në qytetin e Laçit..

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe gjatë kqyrjes janë fiksuar pesë vrima plumbash në katin e dytë të banesës si dhe shtatë të tjerë jashtë tyre.

Ndërkaq, në rrugën para banesës janë gjendur dhe sekuestruar tetë gëzhoja model 56, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.

Materialet proceduriale i kalojnë prokurorisë së Kurbinit për veprën penale të Vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë, Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake dhe Përkrahje e autorit të krimit, parashikuar nga nenet 79/c, 278/2 dhe 302 të Kodit Penal për të dy personat e lartpërmendur.

n.e/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›