Marrëveshjet qeveri-banka private, 200 mijë shqiptarë janë bërë klientë me detyrim
Ervin Koçi
Nevoja për të kufizuar qarkullimin e parasë cash në duart e qytetarëve si pasojë e problemeve që vinin në zhvlerësimin e saj, e detyroi qeverinë që të ndërmarrë masa radikale pa pyetur për pasojat. Kështu, pas një kërkese të bërë nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga ndërkombëtarët, për kufizimin në maksimum të parasë që qarkullonte jashtë bankave, qeveria pa si rrugën më të shkurtër që ta konkretizonte këtë shembull tek vetvetja. Domethënë ajo ndërmori e para hapin për kalimin e parave të pagave të të gjithë administratës publike në rrugë bankare. Kjo gjë solli bërjen automatikisht të rreth 200 mijë shqiptarëve, punonjës të administratës, klientë me detyrim të bankave private. Ky grup jo i vogël nëpunësish shtetërorë sot e merr pagën përmes rrugëve bankare, si pasojë e vendimeve të ndryshme dhe marrëveshjeve të qeverisë me bankat private në vend. Deri këtu gjithçka duket në rregull. Por menjëherë pas kësaj nisën dhe problemet e para, që sot vijojnë në pafundësi. Askush nuk i ka udhëzuar nëpunësit shtetërorë për komisionet që mbajnë bankat private për çdo transaksion apo shërbim që kryejnë këta klientë “të detyruar”. Po kështu edhe problemet teknike, duke nisur që nga bankomatet, kartat e debitit, ato të kreditit, llogaritë e financave personale e deri tek kreditë automatike apo overdrafti, kanë nisur të paraqesin probleme. Numri i shqiptarëve që përdorin kredinë automatike nga bankat është shumëfishuar gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që tregu mbetet i parregulluar dhe tërësisht jotransparent. Një gjë e tillë bëhet e ditur dhe nga të dhënat financiare të publikuara nga vetë bankat e ndryshme në vend.
Overdrafti
Kredia elektronike, e quajtur ndryshe edhe si “Overdraft”, zakonisht është kredi njëvjeçare dhe e rinovueshme. Ajo është e disponueshme në çdo kohë për klientin e bankës që ka një llogari apo depozitë në një bankë private, apo dhe që zakonisht merr pagën në një bankë të caktuar. Ajo u bë e disponueshme për herë të parë për individët vetëm gjatë viteve të fundit. Për këtë lloj kredie nuk është e nevojshme që ta shlyesh këste mujore. Mjafton që në gjendje të kesh para të mjaftueshme për të paguar interesat. Së paku 60 mijë shqiptarë e kanë përdorur rregullisht overdraftin gjatë vitit të kaluar dhe numri i përdoruesve është vazhdimisht në rritje.
Mungesa e transparencës
Kredia “Overdraft” në të gjithë botën konsiderohet si kredia më e shtrenjtë, me norma interesi sa dyfishi i normave të kredive të zakonshme. Por në Shqipëri kjo gjë nuk është e mundur të mësohet për shkak se asnjë bankë nuk i shpall publikisht të dhënat mbi interesat e këtij shërbimi. Asnjë bankë private në vend nuk i informon klientët e saj se sa është interesi i paguar për kreditë “Overdraft”. Në banka të ndryshme interesat për këtë lloj kredie arrijnë në 2 për qind në muaj, pra me një normë vjetore që shkon përtej 25 përqindëshit. Për bizneset, të cilat kanë kapacitete negociuese, interesat ulen deri në 15 për qind. Në të gjitha vendet e zhvilluara bankat detyrohen t’u nënshtrohen disa kushteve të përgjithshme të përcaktuara nga autoritetet mbikëqyrëse në mbrojtje të interesave të konsumatorëve. Në SHBA, Itali dhe vendet e tjera të BE-së, ekziston një “normë e kredisë fajde”, pra një kufi tavan për interesin e kredisë së lëshuar për klientët. Kufiri tavan ndryshon nga vendi në vend, por zakonisht është dyfishi i normës bazë të interesit në ekonomi. Në Britaninë e Madhe, një rregullore e veçantë ka vënë nën kontroll emetuesit e kredive overdraft, me synim që të mbrojë konsumatorët. Rregulli i parë për këtë është detyrimi i bankave për të informuar në mënyrë të qartë klientët mbi normat e interesit për kredinë overdraft, gjë që në Shqipëri, tani për tani nuk ndodh. Por ndërkohë, kredia overdraft po zë një peshë të rëndësishme në portofolat e kredive të bankave private në vend. Për ata që mendojnë të marrin një oferdraft, këshillohet që së paku të pyesin te sporteli i bankës mbi normën e interesit që do t’u mbahet për këtë kredi.
7 Gusht 2008