E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Economist”: “Dobësohet Partia Demokratike para zgjedhjeve të 2009-s”

Ekspertët britanikë publikojnë skanerin politiko-ekonomik për 2008-2009-n. Premtimet e PD-së dhe kriza tek e majta. Sukseset dhe dështimet ekonomike

Albert Gjoka

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme elektorale Partia Demokratike ndihet dobësuar, sidomos në zonat urbane të Shqipërisë për shkak të premtimeve të saj, por ajo do të sfidojë opozitën nëse nuk do të jetë e bashkuar. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga një raport i Njësisë Inteligjente të “The Economist”, të publikuar në fund të qershorit. Ekspertët e kësaj njësie i bëjnë një skaner të hollësishëm zhvillimeve politike dhe ekonomike Shqipërisë për periudhën 2008-2009. Sipas tyre, vendi ynë ka thuajse të sigurt integrimin në NATO, falë mbështetjes amerikane, por duket e largët dita kur ajo të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ndër kritikat që veçohen nga “The Economist” në rrafshin e politikave ekonomike kanë të bëjnë me dhënien e prioritetet projekteve rrugore, konkretisht autostradës Durrës-Kukës, dhe kanë regjistruar mangësi të theksuara në menaxhimin e sektorit energjetik.
Premtimet e dobësojnë PD-në
“The Economist Intelligence Unit” nuk beson se do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare para vitit 2009. Kjo kupton që qeveria e kryesuar nga Sali Berisha, kryeministër dhe kryetar i PD-së, ka më pak se një vit për të realizuar axhendën e tij politike të prioriteteve, duke përfshirë reformën në administratën publike, forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit përmes shkurtimit të taksave dhe masa të tjera. Por, në një situatë të tillë, ekspertët e kësaj agjencie të specializuar në monitorimin e zhvillimeve politike dhe ekonomike, shohin se janë dhënë shenja lëkundjeje për Partinë Demokratike në pushtet. Pika më e dobët, sipas tyre, është në zonat urbane, gjë që u duk edhe në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit të kaluar. Sipas tyre, kjo lidhet edhe premtimin që kishte bërë PD-ja në vitin 2005, kur erdhi në pushtet, për përmirësimin e gjendjes energjetike në vend, premtim të cilin nuk arriti ta mbajë. “Nëse opozita shfaq sërish probleme me bashkimin dhe zgjerimin e saj, ka gjasa të përballet me një sfidë të fortë të qeverisë në zgjedhjet e 2009-s”, - thuhet në këtë raport. Por ekspertët britanikë të “The Economist” konstatojnë se ndryshimet e reja në sistemin elektoral, duke futur sistemin proporcional rajonal, forcojnë përkatësisht kryeministrin dhe kryetarin e PD-së Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. “Disa parti të vogla, duke përfshirë LSI-në, e udhëhequr nga Ilir Meta, ish-kryeministër, kanë protestuar kundër ndryshimeve, por ka gjasa që ato të jenë të detyruar të shohin për aleancë me një nga partitë e mëdha para zgjedhjeve”, - thekson raporti “Perspektiva 2008-2009”.
Afër NATO-s, larg BE-së
Ekspertët e Njësisë Inteligjente të “The Economist” shprehen në analizën e tyre se Shqipëria është afër anëtarësimit në Aleancën euroatlantike, gjë që mund të realizohet në vitin 2009, por duket se janë ende larg të qenit vend kandidat për në Bashkimin Europian. “Partia Demokratike në qeverisje realizoi një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme në fillim të prillit, kur Shqipëria (bashkë me Kroacinë) mori ftesën për anëtarësim në NATO”, - thotë raporti. Sipas tij, procesi mund të mbyllet në vitin pasardhës, pasi nuk ka ndonjë pengesë domethënëse për ratifikimin e marrëveshjes nga vendet anëtare të Aleancës. Integrimi në BE është një prioritet tjetër kryesore i politikës së jashtme. “BE-ja firmosi MSA-në me Shqipërinë në mesin e 2006-s dhe nuk është shprehur e do të jetë i garantuar statusi i kandidates gjatë periudhës së afërt, dhe anëtarësimi mbetet një e ardhme e largët”, - konstatohet në raport. Sipas tij, “Komisioni Europian do të ruajë presionin mbi qeverisjen që të bëjë më tepër progres me reformat kryesore (të tilla si përmirësimi dhe funksionimi i sistemit gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Politikat ekonomike të Berishës
Dhënia e prioritetit autostradës Durrës-Kukës, e cila ka një kosto shumë të lartë dhe “harresa” ndaj sektorit energjetik, i cili ka probleme të mëdha, vlerësohen nga ekspertët e “The Economist” si politika jo të gjetura. “Autoritetet janë duke ngritur një rrjet transporti në vend, për shembull duke ndërtuar lidhjen e re rrugore nga Porti i Durrësit drejt Kukësit, në kufirin shqiptaro-kosovar, por po bëjnë pak në periudhën afatshkurtër që të reduktojnë rreziqet që vijnë nga mungesa e energjisë elektrike”, - theksohet në raportin që analizon perspektivën 2-vjeçare të Shqipërisë. Sipas tyre, qeveria, brenda një kohe të shkurtër doli me dy qëndrime: në fillimet e 2006-s, ku u tha se kostoja e autostradës është 400 milionë euro dhe një vit më vonë tha se ajo kërkon 600 milionë euro. Ndërsa në lidhje me politikat energjetike thuhet: “Qeveria, me mbështetje të fortë nga organizmat financiare ndërkombëtare synon të privatizojë shpërndarjen e KESH-it gjatë 2008-s, si pjesë e reformës së sektorit të energjisë, por parashikimi mund të jetë i gabuar”. Ndër pikat kritike të këtij raporti është edhe gjendja e sipërmarrjes private. “Klima e biznesit ka gjasa të mbetet një nga më të ashprat në rajon, për shkak të mangësive në administratën publike dhe sistemin ligjor, si dhe për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe infrastrukturës”. Sipas tyre, FMN-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare vazhdojnë të theksojnë nevojën për reforma strukturale dhe institucionale për përmirësimin e klimës së biznesit. Një tjetër problem është edhe raporti i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe FMN-së. Vitin tjetër mbaron marrëveshja mes tyre dhe pritet që këto raporte të hyjnë në një stad të ri. Se çfarë do të ndodhë dhe si do të vendosen raportet mes vendit tonë dhe institucionit të konsideruar si “diktatorja” e shumë vendeve të varfra, kjo do të varet nga qeverisja e drejtuar nga e djathta.
FMN-ja kritikoi buxhetin e 2008-s
Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi buxhetin e vitit 2008 të përgatitur nga qeveria për shkak të rritjes së deficitit buxhetor, i cili pritet të shkojë 7.9% për shkak të shpenzimeve të larta kapitale, të hedhura kryesisht në projektet rrugore. Por ekspertët e “The Economist” e parashikojnë se ai do të jetë pak më i lartë sesa 5.2%, kufi i vendosur nga qeveria “Berisha”. Sipas tyre, ai mund të arrijë në 5.4% dhe rreziqet lidhen më shumë nga fakti se sektori energjetik dhe rruga Durrës-Kukës kërkojnë më shumë fonde nga buxheti i shtetit. Ky raport, i përgatitur nga ekspertët e Njësisë Inteligjente “Economist”, me qendër në Londër, sjell konstatime dhe probleme të njëjta me ato që dolën në raportin e FMN-së, ku u konstatuan problemet me menaxhimin e sektorit energjetik, klimën e biznesit dhe situata e tensionuar politike para zgjedhjeve të vitit 2009.

FAKTORËT POLITIKË

Fuqizohen PD-ja dhe PS-ja

PD-ja dhe PS-ja miratuan ndryshimet në sistemin e ri elektoral, duke përjashtuar partitë e vogla. Ato janë më të favorizuara. Megjithëse PS-ja ka më shumë probleme me aleatët e saj. Kjo do t’i detyrojë partitë e vogla të falen tek të mëdhatë për koalicione.

Ndryshimet kushtetuese

Presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash nëse dështojnë tre raundet e para. Prokurori i Përgjithshëm tani ka një mandat të fiksuar. Kryeministri është më i fuqishëm në lidhje me ndryshimet për procedurat e votëbesimit në Kuvend.

Hezitimi për Gërdecin
Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes për shkak të shpërthimit në Gërdec, ku u vranë 26 persona, u plagosën 300 të tjerë dhe u dëmtuan 4000 shtëpi. PD-ja ka qenë për heqjen e imunitetit që në 2005-n, por në kohën kur ishte për Mediun hezitoi fillimisht.

Ftesa në NATO
Shqipëria mori ftesën në NATO në muajin prill, ku pati mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve. Probleme të mëdha pritet të ketë përsa i përket integrimit në BE, pasi ka gjasa që të mos e ketë të sigurt së shpejti statusin e vendit kandidat.

FAKTORËT EKONOMIKË

Politika monetare
Banka e Shqipëria ka mbajtur normën e interesit në nivelin e 6.25%. pavarësisht rritjes së inflacionit në mars-prill. Ajo është e shqetësuar për rritjen e shpejtë të kredisë nga bankat e huaja, sidomos në euro.

Parashikimi ekonomik
Rritja ekonomike do të jetë pjesërisht e sigurt nga nevoja prej partnerëve të saj tregtarë në BE. Parashikohet një rritje ekonomike e fortë në 2008-2009 prej 6 përqindësh. Niveli i inflacionit do të mbetet në 4 për qind dhe në 2009-n do të jetë 3.5%

Sektori i jashtëm
Deficiti i llogarisë korrente do të jetë më shumë se 11 për qind e GDP-së. Në 2007-n ishte 7.2 dhe në 2006-n ishte 6 për qind. Deficiti tregtar ka shënuar rritje të vazhdueshme. Ky nivel i deficitit lidhet edhe me nevojën për energji për shkak të mungesave të brendshme.

Shpenzimet publike
Qeveria mbron shpenzimet e saja publike. Problemi i vetëm mbetet kostoja e rrugës Durrës – Kukës, e cila fillimisht u tha se do të kushtojë 400 milionë euro, por tani deklaron se ajo është 600 milionë euro. Qeveria mori 230 milionë euro kredi në dy banka private.

Privatizimet
Shitja e ARMO-s më e lartë sesa pritej nga qeveria. Ajo u shit 125 milionë euro dhe blerës është një konsorcium i përbërë nga katër kompani. Privatizimet e tjera kanë rrezik të dështojnë për 2008-n, si ai i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, apo aksionet e mbetura të AMC-së.

Investimet e huaja
Viti 2007 shënoi një rritje të investimeve të huaja direkte në masën 463 milionë euro nga 259 milionë në vitin 2006 dhe kjo u reflektua nga të ardhurat e siguruara nga privatizimi i sektorit bankar dhe sigurimeve. Kjo është më tepër se 50% e deficitit të llogarisë korrekte.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›