Fermerë nga Divjaka eksportojnë shaqi në Angli
Profilizimi i fermave bujqësore do të ndikojë në rritjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore e blegtorale "Made in Albania" në tregjet e huaja. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bën të ditur, se fermerët të mbështetur dhe nga subvencionet e ndryshme që ka aplikuar qeveria, kanë shtuar investimet në ndërtimin e serave dhe rritjen e prodhimeve bujqësore vendas, duke i hapur kështu rrugë dhe rritjes së eksporteve bujqësore. Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) Enver Ferizaj, tha se eksportet e prodhimeve bujqësore gjatë këtij sezoni veror janë rritur në krahasim me vitin e kaluar. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe fermerët shqiptarë kanë eksportuar në drejtim të Kroacisë, Bosnjes, Greqisë, Zvicres e Maqedonisë rreth 1582 ton bostan, 255 ton patate, 210 ton fasule dhe rreth 405 ton domate e tranguj. Rritja e eksporteve shënohet dhe për prodhimet nga agroindustria, ku gjatë këtij sezoni është 2 fishuar eksporti i ujrave minerale dhe lëngjeve të frutave në drejtim të Greqisë, Kosovës dhe Italisë. Duke u ndalur dhe në kontributin e programit të USAID për rritjen e konkurueshmërisë së prodhimeve bujqësore, Ferizaj thekson se, me mbështetjen e këtij programi një grup fermerësh nga zona e Divjakës në rrethin e Lushnjes, të udhëhequr nga fidanishtja "Bruka", po furnizojnë me shalqi (me peshë 2 kg) rrjetin e supermarketeve ASDA, që është dega britanike e Wall-Mart, zinxhirit të shitjes me pakicë më të madh në botë. "Programi i USAID-it për Konkurrueshmërinë e Bujqësisë Shqiptare ndihmoi në lidhjen fillestare të kontakteve midis "Fidanishtes Bruka" dhe ASDA Supermarket; gjithashtu, programi asistoi në përzgjedhjen e varietetit të duhur të shalqinit për të furnizuar tregun britanik, krijoi mundësi për anëtarët e Shoqatës Divjaka ‘07 të arrijë standardet europiane, si dhe të sigurojë drejtimin nga afër të logjistikës së tregëtimit"-tha Ferizaj. Ferizaj vlerësoi ndihmën e dhënë nga USAID për përmirësimin e konkurueshmërisë që duhet të arrijnë prodhimet bujqësore shqiptare dhe theksoi se, "ndihmesa e USAID nuk është vetëm një përfitim për shoqatën e fermerëve, por për të gjithë fermerët dhe tregtarët e Shqipërisë, të cilët tashmë e dinë që është e mundur të plotësojnë kërkesat e tregjeve botërore". Sipas tij, importues nga Komuniteti Europian janë vënë në dijeni se Shqipëria është e aftë të jetë furnizues i besueshëm i produkteve cilësore.