Fermerët i hedhin qepët në lumë
Lumenjtë në zonën e Devollit janë mbushur me qepë. Duket sikur qepët kanë mbirë në ujë, por në fakt janë vetë fermerët që i kanë hedhur ato. Pak kohë më parë, fermerë të shumtë të kësaj zone vunë alarmin për prodhimin e gjithë vitit, që kishte mbetur stok për shkak se nuk sigurohej tregu. Mijëra tonelata në të gjithë zonën i kanë lënë magazinat e depot dhe kanë marrë udhën drejt lumenjve, ose periferive të fshatrave. Tashmë situata ka shkuar edhe më tej drejt përkeqësimit. Qepët janë kalbur. Fermerët thonë se ata nuk kanë më asnjë shans për të shitur prodhimin e tyre, pasi nga kalbëzimi nuk mund të hidhen më në treg. Ky prodhim, që më parë doli nga mijëra sipërfaqe të mbjella me këtë kulturë, ka përfunduar i gjithi në lum. Çdo ditë fermerët çojnë me krahë, ose me mjete të tjera qepët që kanë nëpër depot e tyre për t‘i hedhur ato, ndërsa shikojnë se si prodhimin e merr lumi. Pas stokut të prodhimit, ky për fermerin e Devollit është ndëshkimi më i madh që vjen ndaj punës së një viti. Banorët thonë se bënë uljen e çmimit për të gjetur treg, por as kjo praktikë nuk rezultoi e suksesshme. Ata shprehen se këtë vit kanë ulur çmimin deri në 3 lekë për kilogram, nga 40 që ishte një vit më parë, por asnjë nuk ka mundur të sigurojë shitjet me shumicë të mallit. Ato pak qepë që kanë ikur nga fshatrat janë shitur me kile dhe jo si më parë, kur ngarkoheshin në mjete të tonazhit të rëndë, për t‘i çuar drejt qyteteve të tjera. Sipas fermerëve, në shumë qytete flitet se shitet qepa e njohur e kësaj zone, por në fakt në tregje shitet mall që vjen nga importi. Ferit Zyfi, një nga fermerët e zonës, thotë se ka hedhur 170 kuintal deri më tani me një vlerë të madhe dëmi. Në zonën e Devollit janë të paktën 15 fshatra që po përballen me këtë fenomen, që sipas banorëve mund të krahasohet me një fatkeqësi natyrore për nga dëmi i madh i shkaktuar. Zona e Devollit është e njohur për kultivimin e qepës. Ajo është prodhimi bazë dhe vetëm një pjesë e vogël e fermerëve është marrë me kultivimin e mollës dhe patates, që po pësojnë të njëjtin fat.