E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miu i arave "ha" 1500 hektarë tokë

Minjtë e arave po shkaktojnë dëme të mëdha në të mbjellat e fermerëve në Komunën e Strumit të Qarkut Fier. Hektarë të tërë, të mbjellë me grurë dhe foragjere janë shkatërruar pikërisht nga sulmi i minjve të arave. Lajmi bëhet i ditur nga fermerë të rrethit të Fierit, si dhe nga krerët e komunave. Sipas Drejtorisë së Bujqësisë Fier, që është vënë në alarm pas shfaqjes së këtyre brejtësve të tokave, konfirmohet se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në Komunën Strum të rrethit të Fierit. Kreu i Komunës Strum, Safet Ruko, thotë se miu i arave ka shkatërruar më shumë se 1500 ha tokë. "Shumica e sipërfaqeve të dëmtuara plotësisht nga dalja e miut të arave ka qenë e mbjellë me grurë për vitin e ardhshëm. Dëmtimi në masë të madhe rrezikon bukën e fermerëve. Nga verifikimet që kemi kryer del se afro 500 ha e mbjellë me grurë është dëmtuar, kurse toka e mbjellë me jonxhë që është dëmtuar i kalon të 950 ha", shprehet Ruko. Edhe fermerë të shumtë të fshatrave Suk 1, Suk 2, Strum, Banaj, Arapaj, Kuman etj., kanë treguar se dalja e parë e brejtësit të arave është shënuar në fund të muajit dhjetor. "Nisëm të dezinfektonin tokat, por më kot, pasi ilaçi që ne përdorëm nuk i shfarosi brejtësit. Jemi në hall për grurin e sezonit të ardhshëm. Harxhuam që mbollëm me dhjetëra ha dhe që punuam tokën", thotë Elmaz Kumani, banor i fshatit Suk 1.

Fermerët tregojnë se janë ankuar dhe kanë kërkuar ndihmën e komunës. Drejtuesit e saj, nga ana e tyre, garantojnë se po kryejnë evidentimin e dëmeve dhe në fillim të javës së ardhshme do t‘i dërgohet një relacion Ministrisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë rajonale të Bujqësisë.

"Agronomi i komunës nuk mund të ndërhyjë me asnjë projekt, por duhet që të ndërhyjë me spërkatje ministria", pohon kryekomunari i Strumës, Safet Ruko. Ndërsa në Drejtorinë e Bujqësisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Fierit theksojnë faktin se me dhjetëra shqetësime kanë ardhur jo vetëm nga zona e Strumit, por edhe nga komuna të tjera të qarkut. Zyrtarisht, Drejtoria e Bujqësisë shpjegon se tokat e Fierit janë më të rrezikuara nga brejtësit. Ndërsa pranohet se ka me dhjetëra vjet që toka nuk është dezinfektuar për të shmangur dëmtimin nga brejtësit dhe insektet shkatërrimtare. Specialistë të bujqësisë pohojnë faktin se shfarosja natyrale e miut të arave vjen vetëm pas përmbytjes së tokës, pasi pesticidet e hedhura në sipërfaqe nuk arrijnë të japin efektet nën tokë. Miu i arave, sipas specialistëve të bujqësisë, dëmton të mbjellat në rrënjë.

Vitin e kaluar, miu i arave në Fier shkatërroi më shumë se 300 ha tokë, ndërkohë që karkaleci, i cili është prezent në Myzeqe prej dy vjetësh ka dëmtuar më shumë se 1000 ha tokë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›