E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobiten 20 shkolla, mungojnë kushtet higjieno-sanitare

Zyra e arsimit në prefekturën e Fierit ka publikuar shkollat e rrethit ku mungojnë kushtet higjieno-sanitare. Sipas specialistes së zyrës së Arsimit dhe Shëndetësisë, Gilda Tanku, konfirmohet se 20 shkolla janë gjobitur, por në asnjë prej tyre nuk ka pasur reagim edhe pas ndëshkimit. Ajo pohon se aty mungojnë totalisht kushtet higjieno-sanitare. "Ky konstatim është kryer pas një kontrolli të ushtruar nga zyra jonë në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Parësor të rrethit të Fierit. Kontrolli është kryer javën e kaluar, ndërkohë që është kontrolli i tretë që realizohet brenda këtij viti arsimor", shprehet specialistja Tanku. Sipas saj, si shkollat e qytetit dhe ato të fshatit vuajnë nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare, ndërkohë që ka mjaft shkolla që nuk kanë as dyer dhe dritare. Madje, ka shkolla ku jeta e nxënësve vihet në rrezik nga godinat që janë drejt shkatërrimit. "Mungojnë kushtet teknike të tualeteve në më shumë se 8 shkolla. Në shkollën e Mbrostarit, atë fillore të Frakullës, të Daullasit e Boçovës nuk ka fare tualete. Kurse në disa shkolla të tjera edhe pse tualetet janë, në to mungon uji, madje deri dhe sifoni", shpjegon Tanku. Shkolla "Hekuran Maneku" në Patos, ajo në Frakull, e Levanit, e Hamilit, si dhe mjaft të tjera kanë mungesa edhe në dyer e dritare. Një tjetër shqetësim për zyrën e Arsimit dhe Shëndetësisë në Fier është edhe mungesa e punonjëseve sanitare në shkolla. Në pjesën më të madhe të shkollave në fshatra pastrueset mungojnë dhe pastrimi i mjediseve kryhet nga nxënësit. Janë evidentuar me dhjetra raste kur nxënësit e klasave fillore, madje dhe të klasave të para detyrohen të pastrojnë klasën dhe korridoret e shkollave. Po ashtu, mbi 70 % e shkollave të rrethit nuk kanë sistem ngrohës. Dhe në ato pak shkolla që rezultojnë me ngrohje përdoren mjete të tilla si rezistenca elektrike dhe soba me gaz.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›