E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy pacientë vdesin nga zemra, mungojnë mjekët specialistë

Moti i këtyre ditëve, me ulje të ndjeshme të temperaturës, e cila ka shënuar deri në minus 12 gradë Celsius, ka rikthyer për banorët e qytetit minatorë të Bulqizës virozën gripale. Por moti i rënduar është bërë edhe shkak i rritjes së numrit të pacientëve, të cilët kanë probleme me zemrën. Por, për këta të sëmurë është e pamundur marrja e ndihmës mjekësore pranë këtij spitali, për mungesë të mjekëve specialistë kardiologë. Vetëm në javën e kaluar janë regjistruar dy raste vdekjesh, si pasojë e infarktit të miokardit.

Ndërsa në pediatri për çdo ditë, fluksi i pacientëve, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore të specializuar pranë spitalit, ka ardhur vazhdimisht në rritje. Këtë e pohojnë për "Shqip" mjekë të spitalit të këtij qyteti, ku sipas tyre më të prekur nga viroza rezultojnë fëmijët dhe mosha e tretë. Gjatë këtyre ditëve, thotë mjeku pediatër Fatos Hoxha, në spital paraqiten orë pas ore fëmijë, të rritur, pacientë kronikë me shqetësime gastro-intestinale, si dhe me probleme të tjera, me uljen e rezistencës, apo dobësimin e sistemit imunitar. Vihet re se fluksi i të prekurve nga gripi vjen në rritje, por mjekët e këtij spitali pohojnë se ende nuk bëhet fjalë për epidemi gripale dhe se situata është nën kontroll të plotë nga ana e tyre. Numri i pacientëve me simptoma gripale në gjendje febrile, që vijnë për ndihmë mjekësore, thotë mjeku Hoxha, vjen në rritje edhe për faktin se një pjesë e mirë e pacientëve vijnë nga fshatrat, për mungesë të shërbimit mjekësor në qendrat shëndetësore të komunave të rrethit. Vetëm në ambientet e pediatrisë presin për çdo ditë rreth 30 fëmijë të moshës 0 deri në 14 vjeç, për të marrë ndihmë mjekësore. Një pjesë e madhe e këtyre pacientëve marrin mjekim ambulator dhe kthehen në shtëpitë e tyre. Gjithsesi, deri më tani thonë mjekët, çdo gjë është nën kontroll dhe se nuk është vërejtur asnjë rast, apo dyshim i prekjes nga meningjiti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›