E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap 161 kg marijuane, iu shpeton nga duart trafikanti



TEPELENË – Policia sekuestron drogën, por nuk kap dot trafikantin, ku dyshohet se mund të jetë dekonspiruar operacioni për kapjen e tij. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se në orët e para të ditës së djeshme është bllokuar një sasi prej 161 kilogramësh lëndë narkotike e llojit “marijuanë”. Sipas zëdhënësit të drejtorisë së policisë, Gentian Mullai, lënda narkotike po transportohej me një automjet, që rezultoi se ishte i pajisur me targa false. Mullai pohoi se janë shoqëruar dy persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me këtë rast trafiku.
Droga
Gentian Mullai, zëdhënësi i policisë së qarkut të Gjirokastër, tha të mërkurën se, “lënda narkotike u bllokua rreth orës 23.40 të ditës së marte në automjetin tip “Wolsvagen”, me targa GJ 2954 A, në vendin e quajtur “Ormënë”. Mjeti që rezultoi se kishte vënë targa të falsifikuara po udhëtonte në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër-Tepelenë, dhe ndalimi i tij është bërë në afërsi të fshatit Hormovë. Droga ishte vendosur në 6 çanta të mëdha sportive, me ngjyrë të zezë. “Në pesë prej çantave ishin vendosur nga 25 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, ndërsa në çantën e gjashtë kishte 31 kg lëndë narkotike të paambalazhuar, gjithsej 161 kg marijuanë”, - konfirmoi zëdhënësi i Drejtorisë së Qarkut Gjirokastër Gentian Mullai.
Aksioni
Sipas zëdhënësit Mullai, në bazë të informacionit të marrë në rrugë operative, shërbimet policore kishin ngritur një postbllok në rrugën kombëtare, por drejtuesi i automjetit me të cilën transportohej droga nuk iu bind urdhrit, duke u larguar me shpejtësi. “Policia lokale u vu në ndjekje të automjetit, drejtuesi i të cilit e braktisi atë në afërsi të fshatit Hormovë''. Mësohet se gjatë ditës së mërkurë policia e qarkut të Gjirokastrës ka shoqëruar dy shtetas, të cilët dyshohet se kanë lidhje me këtë rast. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Po ashtu kanë nisur hetimet për dekonspirim të operacionit policor, pasi trafikanti, duket se mund të jetë informuar nga burime policore për postbllokun që ishte ngritur për kapjen e tij. Në lidhje me këtë çështje pritet të nisin hetimet.
Lënda narkotike e sekuestruar nga policia kishte si destinacion për tu shitur tregun e Greqisë. Pak javë më parë u arrestuan disa persona në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, përfshirë edhe shtetas të huaj, në tentativën për të transportuar drogë drejt shtetit fqinj.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›