E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamdi Salihi, i frikshëm nga stoli

Hamdi Salihi është shndërruar në një lojtar të frikshëm për të gjitha mbrojtjet kundërshtare, pavarësisht se trajneri Pakult e aktivizon më së shumti si zëvendësues te Rapidi i Vjenës. Fundjavën që kaloi, sulmuesi shqiptar realizoi golin e 11 në kampionatin austriak, në fitoren 3-1 që skuadra e tij arriti kundër Kapfenbergut. Mediat i kanë vendosur nofkën "xholi" i tipp3-Bundesligas, duke e cilësuar edhe si "rrezikun më të madh që vjen nga stoli për portierët kundërshtarë". 25-vjeçari kuqezi është golashënuesi më i mirë i skuadrës: dy gola ai i realizoi në javët e para të kampionatit, kur mbronte ngjyrat e Riedit, ndërsa në 11 paraqitje me Rapidin ai ka përshëndetur nëntë herë rrjetën. Me nuhatjen përpara portës, Salihi ka bërë që të harrohet Stefan Maierhofer, i cili ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit ofensiv në skuadrën vjeneze. "E kishim të qartë potencialin e këtij futbollisti", tha Pakult. "Me golat e tij, Salihi nuk na ka zhgënjyer".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›