E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Lotito largon Taren

Humbja e Lacios në derbin me Romën ka sjellë edhe më shumë tension në radhët e bardhekaltërve. Trajneri Balardini rrezikon postin në krye të skuadrës, ndërkohë që sipas mediave italiane, presidenti Klaudio Lotito ka menduar të shkarkojë edhe Igli Taren. Sipas tyre, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, tashmë në rolin e drejtorit sportiv, ishte "viktima" logjike e ecurisë së dobët të lacialëve. Megjithatë, Tare ka mohuar gjithçka, duke deklaruar se këto janë spekulime të lindura për shkak të presionit të madh të gazetave në kryeqytetin italian. "Nuk është e vërtetë që presidenti Lotito më ka shkarkuar nga detyra", tha drejtuesi i Lacios. "Rezultatet e skuadrës gjatë këtyre javëve, pozitat në klasifikim, por edhe humbja në derbi me Romën kanë bërë që presioni të jetë shumë i madh. Sfidat kundër verdhekuqve janë gjithmonë shumë të ‘nxehta‘, megjithatë unë do të vazhdoj punën time, pavarësisht atyre që kanë shkruar gazetat". Menjëherë pas derbit, Lotito ka organizuar një takim me Taren dhe Stefano de Martino, përgjegjësin për shtyp, ku u shqyrtuan edhe pozitat e teknikut Balardini. Kandidatët potencialë që cilësohen si zëvendësues të tij janë Xhankarlo Kamoleze, Sinisha Mihajloviç dhe Xhani de Biazi, por sipas drejtorit sportiv drejtuesi i stolit nuk do të ndryshojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›