E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrara: Juve për Champions, ne tituj kemi sa të duash

"Momenti më intensiv që kur jam trajner te Juve? Është gjithmonë ai aktuali. Jetoj me intensitet të tashmen". Çiro Ferrara është projektuar për të ardhmen e afërt, të tjerat nuk vlejnë: as e kaluara fituese si lojtar, as sukseset e para të marra si teknik. Trajneri i Juventusit preferon të shikojë përpara për të çuar bardhezinjtë te triumfi.

Shpirti - Pikërisht kjo dëshirë për t‘u përballur gjithmonë me kundërshtarin e radhës duket se ka sjellë shumë entuziazëm te Juventusi. A ka ndryshuar shpirti në dhomat e zhveshjes? Nuk e kam përjetuar në të kaluarën, nuk mund të gjykoj, komenton Ferrara. E di mirë atë çfarë po kërkoj të bëj. Por sigurisht do të ketë momente të vështira dhe do t‘i përballojmë të bashkuar". "Të gjithë e dinë se kemi një grup shumë të mirë e harmonik dhe të gjithë e dinë se objektivi është të rikthehemi te fitoret, shton ai. Është e vërtetë... Kam qenë shok me disa lojtarë, por më e rëndësishme është që Kanavaro&Co të respektojnë rolet, dhe nga ana ime nevojitet koherencë".

Tiago e Poulsen - Në grupin e Juves bëjnë pjesë edhe Tiago e Poulsen, dhe Ferrara lë të kuptohet se do të mbështetet te këta dy lojtarë, me gjithë problemet që ka pasur vitin e kaluar: "Kanë pasur vështirësi vitin e kaluar, por këtë vit është e drejtë që t‘u japim të tjera shanse. Janë dy lojtarë të Juves dhe do të jetë për gjithë sezonin, duhet t‘u jap besim edhe atyre".

Objektivi - Juve dëshiron të fitojë. Titullin apo Champions, ose ndoshta të dyja. "Titullin apo Champions? Juve duhet të luftojë për të dyja deri në fund. Si lojtar isha i dashuruar pas titujve, por e di që tifozëve u mungon Champions. Edhe sepse tituj kanë fituar 29...", komenton Ferrara.

Nedved Groso - Trajneri nuk flet mbi ardhjen e mundshme të Nedved në stafin bardhezi: "Pavel sapo ka lajmëruar lamtumirën. Besoj se dëshiron pak kohë para se të vendosë". "No comment" edhe në lidhje me blerjen e mundshme të Grosos: "Nuk mund të përgjigjem, sepse me të merren drejtuesit".

Tesera e tifozit - Trajneri bardhezi flet edhe për teserën e tifozëve, të hedhur poshtë nga Lipi: "Sigurisht që duhet gjetur një zgjidhje për problemet që për fat të keq ekzistojnë në stadiumet tona. Ajo që ndodhi në Angli (mes tifozëve të Uest Hemit dhe Millollit) ishte një surprizë, sepse mendohej që ishte zgjidhur një çështje e tillë. Jam i bindur se duhen ligje të forta, të cilat mund të garantojnë sigurinë, por edhe qetësinë. Besoj se diskutimi u përket edhe privatizimeve të stadiumeve. Juve po punon në këtë sens".

Diego - Në debutimin në kampionat, braziliani Diego ka demonstruar vlerën e shtuar të këtij Juventusi. "Është një lojtar me një teknikë shumë të mirë, për më tepër ka edhe karakteristika fizike, të cilat i mundësojnë të jetë i shpejtë, shpjegon Ferrara. Është në vitin e parë dhe nuk duhet ta karikojmë me përgjegjësi. Me kalimin e kohës do të presim se çfarë përgjigjesh do të na japë Diego".

Roma dhe derbi - Të dielën transferta e parë dhe menjëherë kundër Romës. "Luajmë kundër Romës, e cila është një nga kandidatët për titull, pohon Ferrara. Është transferta e parë në kampionat, dhe është e vështirë, sepse verdhekuqtë do të duan të bëjnë figurë të mirë pas humbjes në Xhenova". Të shtunën është Milan-Inter, por Ferrara preferon të mendojë për Juven e tij: "Sinqerisht mendoj vetëm për Roma-Juve. Do ta shoh ndeshjen, por në këtë moment ka pak rëndësi rezultati i ndeshjes. Juve është përforcuar dhe ka skuadra, të cilat tradicionalisht luajnë për titull. Por sigurisht favoriti për të fituar trofeun në këtë sezon është Interi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›