E Diel, 1 Nëntor 2026

Napoli, Parma, Fiorentina ose Zenit, destinacioni i Xhemailit

Tashmë është thuajse e sigurt, që e ardhmja e Blerim Xhemailit, futbollistit shqiptar me origjinë nga Maqedonia, por që zotëron një pasaportë zvicerane, nuk do të jetë sezonin tjetër me Torinon në Serinë B. Në drejtim kanë mbërritur një sërë ofertash, por klubi aktual është shndërruar në një pengesë jo të vogël. Futbollisti dukej shumë pranë kalimit te Palermo e Serisë A, por gjithçka ka dështuar. Tratativat e zhvilluara të martën mes drejtuesve të torinezëve dhe atyre sicilianë janë mbyllur pa arritur një marrëveshje. Tashmë duket se më i mundshëm është kalimi i mesfushorit te Parma, e cila po zhvillon bisedime intensive me zyrtarët e klubit "granda". Flitet për një shkëmbim mes tij dhe Amoruzos, i cili ka një rrogë prej 900 mijë eurosh në sezon. Xhemaili është një futbollist shumë i preferuar nga Parma. Trajneri Guidolin do të gjente kështu një "regjisor" shumë të çmuar për lojën e skuadrës së tij. "Diskutimet për kalimin e Xhemailit te Palermo janë mbyllur përfundimisht", ka thënë drejtori i Torinos, Rino Foshi, i cili ka eliminuar mikun e tij Zamparini (presidenti i Palermos). Tashmë numri një i torinezëve kërkon të kënaqë Xhemailin, duke i ofruar një mundësi tjetër në Serinë A. Blerimi ka mbërritur në Torino në fillimin e sezonit të kaluar, pak para se të skadonte afati i merkatos. Mesfushori ka shprehur dëshirën për të mos luajtur në Serinë B, duke bërë kështu që të shmangen disa nga klubet e kësaj kategorie, të interesuara për të. Fiorentina nuk ka hequr dorë për asnjë çast nga shqiptari nga Maqedonia, por aktualisht drejtuesit violë janë në pritje të një çmimi më të "ngrënshëm" të kartonit të tij. Gjithsesi nuk përjashtohet që ata të ndërhyjnë në momentet e fundit të mbylljes së merkatos. Në skenë ka dalë një tjetër ekip i madh i Serisë A. Bëhet fjalë për Napolin. Për djaloshin e talentuar po zhvillohen tratativa me disa klube që prej më shumë se 50 ditësh. Napoli futet në mes të të gjithëve duke bërë një ofertë joshëse. Drejtori napolitan Marini ka takuar atë të Torinos, Foshi. Pritja është e mbushur me shpresa. Për sa u përket ekipeve europiane, Xhemaili ishte kërkuar më parë nga Liverpuli, ndërsa tani për të interesohen edhe rusët e Zenit San Peterburgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›