Kaka e Ronaldinjo flasin për derbin Milan-Inter
Pak nga pak po afrohen orët e derbit të Milanos mes Milanit dhe Interit. Një parashikim special për ndeshjen e së shtunës e ka bërë edhe një ish-kuqezi. Rikardo Kaka, aktualisht lojtar i Realit të Madridit, thekson në faqen e "Gazzetta dello Sport" se derbin e fiton Milani. "Do të fitojë Milani 2-0, gol i Patos pas një asisti të Dinjos, ose ndoshta të Thiago Silvas, pastaj golin e dytë e shënon Nesta, njëlloj si goli në Yokohama, kur u bëmë kampionë të botës për klube". Ndërsa në prag të ndeshjes flet edhe protagonisti i derbit të sezonit të kaluar, Ronaldinjo. "Nata e derbit tim të parë në Itali, i golit tim të parë me bluzën e Milanit, ishte vërtet e bukur. Decizive". Kështu shprehet në një intervistë për "Corriere della Sera" vetë Ronaldinjo, i cili ëndërron të përjetojë sërish të njëjtat emocione si protagonist dhe si fantazist: "Ka qenë gjithmonë roli im. Sa më afër portës kundërshtare të luaj, që më mirë është".