Përmbytjet në Shkodër, banorët e fshatrave në vështirësi mbijetese

Fshatrat e komunës së Velipojës dhe Dajçit vazhdojnë të jetojnë me përmbytjet dhe izolimin. Rruga që të çon në këto fshatra është e bllokuar nga uji që gjatë mbrëmjes së hënë, është shtuar më shumë si pasojë e reshjeve që ishin të pranishme në zonën e Shkodrës. Me urdhër të Komisionit të Emergjencave Civile, forca policore nuk kanë lejuar që asnjë mjet civil të kalojë në drejtim të këtyre zonave, pasi rruga paraqet rrezik. Të vetmet automjete që kanë shkuar në këto zona kanë qenë ato ushtarake, të cilat janë gjendur në ndihmë të banorëve që akoma qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe që nuk janë evakuuar.
Ndërkohë që banorët e fshatit Trush dhe fshatrave të tjerë të komunës së Bërdicës janë shprehur të shqetësuar për të afërmit që kanë mbetur të izoluar në fshatrat e komunës Dajç, por edhe të irrituar për ndihmat që kanë marrë deri më tani nga qeveria, që sipas tyre nuk është e mjaftueshme.
Përveç shtëpive të tyre, katët e para të të cilave janë të përfshira tërësisht nga uji, një problem për banorët e fshatrave të komunës Bërdicë mbeten edhe linjat e elektricitetit. Kjo pasi kabinat elektrike të fshatrave ndodhen pothuajse në ujë dhe paraqesin rrezik për banorët, pavarësisht masave të marra.
Megjithë masat e marra, kalimi i rrymës elektrike në këto linja gati të përmbytura, është një rrezik më vete për banorët, veçanërisht në rastet e përkeqësimit të kushteve atmosferike.