Ferrari 2008 zbulohet më 6 janar

Makina Ferrari, që do të garojë në kampionatin botëror të vitit 2008, do të prezantohet në datën 6 janar 2008 në Maranelo. Lajmin bëri të ditur presidenti i "Kavalinos", Luka Kordero di Montezemolo dhe drejtori i përgjithshëm i "kokëkuqes", Zhan Todt, gjatë një darke tradicionale me shtypin italian në prag të Krishtlindjeve. "Një ditë më pas, - saktësojnë drejtuesit e kampionëve në fuqi, - makina do të bëjë debutimin në pistën e Fioranos".
Montezemolo flet edhe për kundërshtarët: "Alonso te Reno është një sfidë e bukur. Meklaren ka dy pilotë shumë të rinj, por dhe me vlera. Honda ka Ros Braunin. Tojota duhet të ndjekë rrugën e të mëdhenjve. BMW është prej vitesh në Formula 1 dhe po i afrohet majës".
Kimi Raikonen, piloti i Ferrarit, i cili fitoi edhe Kampionatin Botëror në Formula 1, u zgjodh sportisti i tretë i vitit në Finlandë. Në vend të parë doli hedhësi i shtizëz, kampioni i botës në Osaka, Tero Pitkamaki dhe në vend të dytë, kampionia e botës në ski, Virpi Kuitunen.