E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati: Murinjo qëndron edhe pa fituar Champions

Njëshi i Interit zbulon “fiksimin” për Leonardon dhe këshillon Juven

Presidenti i klubit zikaltër rrëfehet në 360°
Interi duket fare pranë fitores së titullit të pestë radhazi në Serinë A, i cili do të jetë kampionati i pestë nën drejtimin e Masimo Moratit. Në një intervistë të gjatë, të dhënë për “La Stampa”, presidenti i klubit zikaltër analizon ecurinë, duke tentuar të tregojë se si arrin skuadra e tij që të ketë kaq shumë diferencë nga të tjerat. Por, ai flet edhe për Zhoze Murinjon, Juventusin dhe në mënyrë surprizë i thur elozhe Leonardos, trajnerit të kushërinjve-rivalë të Milanit. Interi i këtij sezoni ka diçka më shumë se në edicionet e kaluara, kur ka dominuar në Itali fillimisht me Mançinin dhe më pas me Murinjon. “Shoh një karakter luftarak dhe një dëshirë akoma më të madhe për të fituar ndeshjet, shpjegoi presidenti. Por, hopin cilësor na e ka dhënë padyshim shpirti i skuadrës. Ky është një grup i vërtetë, kompakt e që ka ende ‘uri’ për suksese”. Zikaltërit dominojnë në kampionat, por vazhdojnë të mos shfaqen si një pretendente absolute në Champions League. Triumfi në trofeun më prestigjioz për klube ishte kushti i përcaktuar për trajnerin portugez, përpara se ai të merrte drejtimin e skuadrës. Megjithatë, presidenti premton se eliminimi nga ky aktivitet nuk do të sjellë shkarkimin automatik të Murinjos. “Nuk duhet që ky trofe të na kthehet në fiksim, në një kompleks. Personalisht nuk e shoh kështu, edhe sepse ne si familje e kemi fituar Champions-in në krye të Interit. Megjithatë, e kam të qartë se duhet të punojmë edhe në aspektin psikologjik për t’u kualifikuar më tej. Mou largohet nëse eliminohemi? Absolutisht jo, tekniku do të qëndrojë me ne”.
Përveç trajnerit të tij, Morati nuk i kursen vlerësimet edhe për një tjetër drejtues stoli, që në këtë periudhë po arrin rezultate mjaft të larta: bëhet fjalë për Leonardon. “E ndjek me respekt të veçantë Milanin. Ata janë një skuadër optimiste, e cila ka shumë besim te loja që praktikojnë. Mendoj se kjo është 100 për qind merita e trajnerit”. Por, ai nuk ndalon këtu: “E vlerësoj shumë Leonardon, do ta kisha dashur si drejtues në klubin tim. është një person pozitiv, i cili njihet në nivel ndërkombëtar. Do të kishte qenë një figurë e rëndësishme për imazhin e Interit nëpër botë. Por, për fatin e tij të mirë, braziliani po ndjek një rrugë, që i lejon një karrierë edhe më të rëndësishme”. Morati ka analizuar edhe krizën e Juventusit: “Udha e një skuadre nuk ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Mendoj se Diego dhe Felipe Melo nuk ishin blerje të gabuara, përkundrazi. Asgjë nuk po funksionon si duhet në këto momente për bardhezinjtë, por ata duhet të gjejnë besimin dhe të kenë pak fat”. Në fund, edhe një koment për rikthimin e Betegas në radhët e “Zonjës së Vjetër”: “Ai ka qenë një lojtar i rëndësishëm në të kaluarën për Juven, pra është më se normale që në këtë moment të vështirë mund të japë kontributin e tij për klubin. Nuk më interesojnë diskutimet e tjera”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›