Ferrari "bllokon" nisjen në Montekarlo
Felipe Masa duket se do të jetë favoriti kryesor për të fituar Çmimin e Madh të Monakos, duke siguruar "pole-position" për garën që zhvillohet në rrugët e Montekarlos. Piloti brazilian ishte më i shpejti në seancën e tretë të provave zyrtare, duke regjistruar kohën 1‘15‘787, për të kaluar shokun e tij të skuadrës, finlandezin Kimi Raikonen. Në këtë mënyrë, Masa ka arritur të sigurojë vendin e parë në nisje për herë të 12-të në karrierën e tij. Por kjo mund të jetë më e rëndësishme se të tjerat, pasi në pistën e Montekarlos është thuajse e pamundur të parakalosh dhe vendi i parë në nisje është i favorizuar për fitoren e garës. Pas dy makinave Ferrari janë renditur dy makinat Meklaren, me Hemilton që ka marrë vendin e tretë dhe Kovalainen që ka marrë vendin e katërt. Në rreshtin e tretë të nisjes janë renditur Kubika me BMV dhe Rosberg me Uilliams, të cilët kanë kaluar Alonson dhe Trulin. Në këtë mënyrë, gara e nesërme do të jetë e përqendruar kryesisht te strategjitë e rifurnizimeve si dhe zgjedhja e gomave të duhura. Për më tepër, meteorologët kanë parashikuar se gjatë ditës së nesërme mund të ketë reshje shiu që do ta bënte më të komplikuar garën dhe strategjitë e çdo skuadre. Gjithsesi, të gjithë duken shumë të sigurtë se do të jetë një makinë Ferrari që do të presë vijën e finishit e para në këtë garë, pasi Masa dhe Raikonen e njohin shumë mirë këtë pistë se sa dy pilotët e rinj të Meklaren, të cilët kanë garuar aty me makinat e Formula 1 vetëm një herë më parë në karrierën e tyre.