E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrari, bolidi më i mirë

Dy herë kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso ka lavdëruar Ferrarin F10 si bolidin më të mirë të cilin e ka vozitur.

Alonso ishte 1.5 sekonda më i ngadalshëm se McLaren, gjatë testit të javës së kaluar, në Jerez, por ai shpjegoi se Ferrari ende nuk ka treguar potencialin e plotë. “Ky është bolidi më i mirë që kam pasur ndonjëherë”, tha 28-vjeçari, i cili fitoi titujt e botës më 2005 dhe 2006 me Renault.

“Red Bull, McLaren dhe Renault kanë qenë shumë të shpejtë dhe kanë treguar potencialin e tyre, ndërsa ne ende jemi duke e fshehur atë që kemi”, shtoi ai. Kampioni aktual i botës, Jenson Button regjistroi kohën më të shpejtë në Jerez, ndërsa Alonso ishte më i shpejti në Valencia. Red Bull po ashtu impresionoi në teste, por Alonso beson se Ferrari është ekipi për t’u mposhtur.

“Do të analizojmë rezultatet, por jemi shumë optimistë. Nëse do të kisha qenë në një ekip tjetër, do të shikoja Ferrarin, sepse gjithçka duket se është duke shkuar shumë mirë”, përfundoi ai. Testet finale do të zhvillohen në Barcelona, këtë javë, para garës së parë të sezonit në Bahrejn, më 14 mars.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›