“Fërshëllimë në errësirë” mbyll sezonin për Teatrin Kombëtar
Drama irlandeze “Fërshëllimë në errësirë” e autorit Tom Mërfi, me regji të Spiro Dunit, do të vazhdojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar në kryeqytet deri më datën 20 dhjetor, duke mbyllur dhe sezonin artistik të këtij viti për TK-në. Lajmin e konfirmon për gazetën “Albania” zyra e shtypit e Teatrit Kombëtar. Në këtë pjesë interpretojnë aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar si Artisti i Popullit Reshat Arbana, Sokol Angjeli, Anila Bisha, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Dritan Boriçi, Saimir Sina e Roland Saro. Përkthimi i tekstit është bërë nga Artur Lena, ndërsa formulimi muzikor nga Klement Marku, ndërkohë që skenografia dhe kostumet u përgatitën prej Fatbardh Markut.
Vepra bën një analizë skenike të mënyrës se si një familje funksionon jashtë dhe brenda mureve të shtëpisë. Dhe pamja jashtë është ajo e një familjeje me unitet, ndërsa e vërteta brenda mureve të shtëpisë flet ndryshe. Uniteti i shfaqur jashtë kthehet në konflikt të egër brenda mes babait dhe pesë djemve të tij.
Arkitekt i çdo gjëje agresive, patologjike e thellësisht negative është vetw kryefamiljari. Kemi të bëjmë me një pjesë, në të cilën dialogu dhe konflikti i veprës është i hapur dhe jo dialog i nënteksteve të thella. Sipas regjisorit Spiro Duni, zhvillimi i konfliktit është një simetri e përkryer dhe siguron natyrshëm katarsisin e parashikuar dhe tragjedinë. Veç të tjerash, një e veçantë tjetër e kësaj vepre është dhe muzika, e cila wshtw zgjedhur nga grupi i njohur “Pink Flloid”. Autori i kësaj drame, Tom Mërfi, ka shkruar rreth 25 drama dhe romane. Ai shquhet më tepër për natyrën e veprave, të cilat nuk shfaqin shumë sentimentalizma, por konflikte të ashpra e të drejtpërdrejta dhe funde ndër më tragjiket. “Fërshëllimë në errësirë” trajton më së miri temat e dhunës në familje dhe plagët e emigracionit, dy aspekte mjaft aktuale për shoqërinë e sotme shqiptare.
P. GROSI
Politikat teatrore
Sikur Tirana të ndiqte shembullin e Prishtinës për Teatrin Kombëtar...
Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, një marrëveshje që është bërë me Universitetin e Prishtinës do të fillojë të zbatohet në fillim të janarit. Janë rezervuar 300 bileta të shikuesve me çmime prej një euro për studentwt. Do të ishte mirë sikur edhe Teatri Kombëtar i Tiranës të ndiqte shembullin e TK-së së Kosovës, që fundja nuk ka bërë ndonjë shpikje, as risi, por thjesht po punon me seriozitet duke aplikuar programet dhe nismat e deklaruara më parë përsa i përket shtimit të interesit të publikut ndaj teatrit. Ndoshta, veç Teatrit Kombëtar, më tepër duhej të punohej në këtë drejtim nga zyra përkatëse në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila është përgjegjëse për orientimin, zhvillimin dhe bërjen e politikave kulturore, në këtë rast teatrore. Por le të kthehemi te Teatri Kombëtar i Kosovës. Gjatë këtij muaji, sipas deklarimeve të bëra për median, ai do të prezantojë rreth 20 shfaqje, përfshirë edhe shfaqjet mysafire, ndërkohë që një mbrëmje i është rezervuar Ansamblit Kombëtar të Valleve “Shota”. Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, është shprehur se po punohet që tani për të caktuar dhe publikuar përfundimisht programin e institucionit që ai drejton për vitin 2009. “Ne, si menaxhues të teatrit, ndihemi krenarë që kemi filluar me premierën e parë, ku kemi startuar fuqishëm. Për këtë shfaqje, salla ishte e mbushur plot, gjë që nuk mbahej mend në Teatrin Kombëtar. Ka pasur interesim të madh të publikut”, – thotë Krasniqi. Më tej ai shton: “Jemi në procesin e provave përfundimtare të shfaqjes ‘Tartufi’, njw komedi e Molerit, me regji të Rrahim Burhanit, premiera e së cilës do të shfaqet më 17 dhjetor dhe njëherësh do të jetë premiera e fundit për këtë vit.
5 Dhjetor 2008