“Tre tenorët” vijnë për të shtatin vit në Pallatin e Kongreseve
Petrika GROSI
Adrian Xhema, Kastriot Tusha dhe Armando Kllogjeri do të interpretojnë këtë fundviti në skenën që do të improvizohet brenda Pallatit të Kongreseve në kryeqytet në koncertin tashmë të shndërruar në traditë, të titulluar “Tre tenorët”. Lajmin e pohon në prononcim për median producenti i këtij spektakli, Edmond Tullumani, i cili thotë: “Prej shtatë vitesh, koncerti ‘Tre tenorët’ ka hyrë ndër aktivitetet më të vlerësuara muzikore. Ai do të shfaqet edhe sivjet për publikun shqiptar më 9 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Programi i larmishëm dhe surprizat e spektaklit nuk do të mungojnë. Sipas producentit, duhet parë në këndvështrimin e një evenimenti ardhja e sopranos së njohur italiane Katia Riçiarelli, shoqëruar nga tenori Françesko Zinigarelio dhe dirigjenti Leonardo Kuardini. Gjithashtu, i ftuar i këtij edicioni të koncertit “Tre tenorët” do të jetë pianisti Genc Tukiqi dhe sopranoja Ramona Tullumani, të cilët do të shoqërohen nga Orkestra Filarmonike e Akadamisë së Arteve. Ky koncert do të sjellë një interpretim live të këngëve që konsiderohen si perla të muzikës popullore dhe asaj qytetare. Nuk do të mungojë kësaj here krijimtaria e Shkodrës dhe e Dibrës, por edhe më gjerë, gjithmonë nën përpunimin mjeshtëror të kompozitorit Edmond Zhulali. Koncerti synon të ndërthurë muzikën lirike me atë popullore dhe qytetare shqiptare, duke sjellë kështu diçka të veçantë, pse jo, një risi skenike për 2008-n.
5 Dhjetor 2008