E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti bullgar Georgi Parvanov vlerëson Beratin 2400-vjeçar



Gjatë një vizite të kryer çuditërisht në masa të forta sigurie, me angazhimin e Gardës, Policisë së Qarkut të Beratit dhe efektivave të tjerë speciale nga kryeqyteti, Presidenti bullgar Georgi Parvanov ka vizituar mesditën e djeshme qytetin e Beratit, i shoqëruar nga ambasadori bullgar në RSH, Theodhor Rusinov. Presidenti Parvanov është pritur në takimin e tij të parë nga përfaqësia e Bashkisë së Beratit në sallën qendrore të bashkisë. Kryebashkiaku Fadil Nasufi ka falënderuar kreun e shtetit bullgar dhe diplomatët që e shoqëronin për këtë vizitë në Berat. Më pas, ai i ka njohur miqtë bullgarë me vlerat më të spikatura të qytetit muze. Nasufi ka theksuar se shteti bullgar ka luajtur një rol tepër aktiv sa i takon realizimit të disa projekteve të rëndësishme në qytetin 2400-vjeçar. Më tej, ai ka shtuar se Berati është vendi ku janë gjetur dorëshkrimet më të hershme të krishtërimit, siç janë Kodikët e famshëm. Kryebashkiaku i Beratit nuk harroi të përmendte edhe faktin e bashkëpunimit të mirë mes biznesmenëve të këtij qyteti dhe atyre bullgarë, ndërkohë që 12 studentë nga Berati vazhdojnë studimet në universitetet bullgare. Në fjalën e tij, presidenti Georgi Parvanov u shpreh: “Për këtë qytet të lashtë kam lexuar shumë dhe kam dëgjuar të flitet mbi vlerat e tij”. Parvanov ka shprehur kënaqësinë e vet për futjen e Beratit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe nuk ka ngurruar të bëjë krahasim mes Beratit dhe një qyteti turistik në Bullgari të ngjashëm me të. Ai tha: “Vlerat arkitektonike e muzeale të këtij qyteti pasqyrojnë mjaft mirë lashtësinë e tij në të gjitha epokat historike”. Më pas, Presidenti i Bullgarisë, George Parvanov, ka vizituar Kalanë e Beratit dhe muzeun “Onufri”, në të cilin la edhe një shënim në librin e përshtypjeve

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›