Integrimi, PD-PS konsensus për planin e ri të veprimit
Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur sërish dje gjuhën e mirëkuptimit sërish, por kësaj here për planin e ri të veprimit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimit Europian. Në prani edhe të ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, kanë miratuar në parim planin e ri të veprimit për realizimin e 12 rekomandimeve, ndërsa është rënë dakord edhe për mënyrën sesi do të ndahen punët më tej. Në emër të ekzekutivit, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka paraqitur propozimet konkrete për këtë dokument të ri orientues, në përmbushjen e 12 prioriteteve. “Mund të orientohet në dy mënyra. Grupi i punës koordinues, në nivel qendror ngrihet me në krye koordinatorin, i cili është Ministria e Integrimit, do të ketë përfaqësues të komisionit parlamentar të Integrimit, të shoqërisë civile dhe përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Tiranë. Roli i Ministrisë së Integrimit është koordinimi dhe mbështetja e procesit në tërësi, ndërsa roli i komisionit parlamentar të Integrimit është shqyrtimi i planit të veprimit dhe më pas monitorimi për zbatimin e tij. Do të jetë komisioni parlamentar i Integrimit, i cili do të jetë përgjegjës për rishikimin dhe përmirësimin e planit të veprimit për prioritet nga 1 deri në 5 dhe për prioritet nga 6 deri në 12; procesi do të drejtohet nga Ministria e Integrimit”, - tha Bregu. Ndërkohë që kryetari socialist i komisionit, Ditmir Bushati ka vlerësuar nevojën që plani i ri i veprimit duhet të jetë i atillë që të mundësojë zbatimin e tij. Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka shprehur gatishmërinë e opozitës për t’iu mbajtur paktit të arritur dhe për të dhënë kontributin e saj në çdo proces tjetër që do të shërbente për përmbushjen e prioriteteve që përmban ky plan. “Duhet ta themi hapur, ka shumë arsye, por mbi të gjitha është vullneti politik i palëve. Në emër të kolegeve të opozitës, theksoj se mbetemi të vendosur lidhur me vullnetin tonë politik për të plotësuar të gjitha rekomandimet që ka bërë Bashkimi Europian si detyra shtëpie për Shqipërinë”, - tha Ruçi. Me propozimin e Bushatit, komisioni ra dakord që ministria të dërgojë një hartë veprimi për 12 prioritetet dhe më pas të përcaktohet bashkërisht koordinimi, duke ruajtur rolet respektive, ku ministria bashkërendon punët me qeverinë, ndërsa komisioni me Parlamentin. Konsensusin e arritur e ka përshëndetur edhe ambasadori Sequi, i cili si rrallëherë është ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku jo vetëm ka qenë i pranishëm në komision, por edhe ka marrë fjalën gjatë diskutimit.